E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divjakë, dy peshkatarë humbin në det

MOTI I KEQ/ Vangjel Trungu e Stavri Prendi kishin dalë në mëngjes për të tërhequr rrjetat e peshkimit



Kërkimi u ndal mbrëmjen e kaluar për shkak të motit të keq, ndërsa pritet të vijojë sërish ditën e sotme

LUSHNJË - Dy peshkatarë rezultojnë të zhdukur që prej mëngjesit të djeshëm në Divjakë. Me gjithë angazhimin e policisë për gjetjen e tyre, deri në orët e vona të mbrëmjes, asnjë shenjë nuk kishte për ta.

Ndërkohë, në Divjakë, familjarët e Vangjel Trungut dhe Stavri Prendit kanë hapur dyert për mort, duke mos pasur më shpresa për gjetjen gjallë të të afëmve të tyre.

Humbja e dy peshkatarëve ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 07:00 kur moti i keq përmbysi varkën e tyre me të cilën kishin hyrë në det për të tërhequr rrjetat.


Ngjarja


Vangjel Trungu, 60 vjeç, dhe Stavri Prendi, 48 vjeç, peshkatarë nga Divjaka, kishin lëshuar gjatë natës rrjetat e peshkimit dhe mëngjesin e djeshëm i janë drejtuar detit për t'i tërhequr.

Ata kanë dalë rreth orës 07:00 të mëngjesit, por ndërkohë dallgët e larta e kanë përmbysur varkën rreth 300 metra larg bregut.

Ngjarja është parë nga peshkatarë të tjerë të Divjakës, të cilët kanë rendur për t'u ardhur në ndihmë.

Por përpjekja ka qenë e kotë, pasi dallgët dhe era e fortë nuk i ka lejuar të vazhdonin më tutje, duke bërë që të rikthehshin në breg. Ndërkaq u njoftua policia e Lushnjës, si dhe ajo kufitare, të cilat nisën kërkimet, por jo me shumë intensitet, pasi nuk lejoheshin nga dallgët e mëdha të shkaktuara nga era e fortë.

Ndërkohë, një motovedetë italiane dhe një mjet lundrimi i rojës bregdetare në Durrës kanë ardhur në ndihmë, por nuk kanë mundur të lundrojnë në det të hapur.

Sipas shefit të policisë kufitare në Divjakë, Arben Peçi, vetëm anija e tonazhit të rëndë "Iliria" ka dalë në lundrim për të kërkuar trupat e peshkatarëve të zhdukur, megjithatë pa mundur të zbulojë asgjë. Policia u shpreh se do të vazhdojë operacionin në det të hapur në rast të përmirësimit të kushteve atmosferike. Ndërkohë, edhe mbërritja e polumbarëve është në varësi të motit.


Familjarët

Dy peshkatarët e zhdukur me këtë profesion mbanin familjet e tyre. Të dyja familjet kanë hapur dyert për mort, ndërsa presin që shteti t'u gjejë trupat e të afërmve. 60-vjeçari Vangjel Trungu ishte babai i dy fëmijëve, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë në veshka ndodhet për kurim në Itali. Motrat e tij kanë vënë kujën, ndërsa shprehen se buka e gojës e detyroi vëllanë e tyre të punonte peshkatar në një moshë të tillë, pasi prodhimet bujqësore nuk gjejnë më treg. Ndërsa 48-vjeçari Prendi ishte baba i tre fëmijëve në moshë të vogël. Babai i tij i moshuar kërkon nga shteti ndihmë sepse ai nuk mund të bëjë asgjë jo vetëm për gjetjen e të birit, por edhe për të ushqyer fëmijët e vegjël.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›