Policia bllokon 300 kg marijuanë nga Lazarati

Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë policinë, s’ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë akoma më shumë, ku ka tentuar të godasë edhe automjetin e shërbimeve të policisë...
Janë plot 300 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë që po transportohej nga Lazarati në drejtim të Sarandës, të cilat janë bllokuar mbrëmjen e së shtunës nga një operacion i antidrogës në Gjirokastër. Në pranga ka rënë një person, ndërsa mësohet nga organet e policisë se po punohet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tij në trafikimin e lëndëve të ndaluara narkotike. Ka qenë ora 21:00, kur ka ardhur një informacion në rrugë operative, për një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike. Baza e informacionit ishte se lënda narkotike do të transportohej nga fshati Lazarat në drejtim të Sarandës. Menjëherë policia e Gjirokastrës ka formuar edhe një operacion të koduar “Rrebeshi”, duke ngritur postblloqe përgjatë rrugës në aksin Kordhocë – Jorgucat. Rreth orës 21:20, nga policia është konstatuar edhe makina tip “Jeep”, në të cilën dyshohej se po transportohej edhe lënda narkotike. Sapo ka parë patrullat e policisë, shoferi ka shtuar shpejtësinë, në mënyrë që t’i shpëtonte kontrollit. Por nga moti me shi dhe nga shpejtësia e madhe, ai ka humbur kontrollin e makinës, duke dalë nga rruga. Pikërisht në këtë moment u arrestua drejtuesi i automjetit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve. Nga këqyrja dhe numërimi i pakove rezultoi se në automjet kishte 288 pako, me paketim të ndryshëm, gjithsej 300 kilogramë.
Informacioni
Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se falë një informacioni që ka ardhur në rrugë operative, është bërë i mundur edhe ndalimi i transportimit të kësaj lënde narkotike. Nga kjo drejtori mësohet se mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:00 specialistët e sektorit kundër narkotikëve në këtë drejtori kanë marrë një informacion në rrugë operative mbi një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, e cila do të transportohej nga fshati Lazarat në drejtim të Sarandës. Kaq ka mjaftuar që blutë e Gjirokastrës të viheshin në lëvizje, duke ngritur shërbime në aksin rrugor nacional Gjirokastër – Sarandë. Nga efektivët e policisë që ndodheshin në postbllokun e aksit Kordhocë – Jorgucat mbi urën e fshatit Dervicjan, rreth orës 21:00 të së shtunës, u konstatua edhe automjeti fuoristradë, tip “Jeep”, brenda të cilit dyshohej se ishte edhe lënda narkotike e cila po transportohej në drejtim të Sarandës.
Specialistët e sektorit kundër narkotikëve kanë bllokuar rrugën për të ndaluar automjetin, por drejtuesi i automjetit, porsa ka parë policinë, nuk ka ndalur, përkundrazi ai ka shtuar shpejtësinë akoma më shumë. Në tentativën e tij për t’u shpëtuar bluve të Gjirokastrës, shoferi i Jeep-it, ka tentuar të godasë edhe automjetin e shërbimeve të policisë, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të policisë. Megjithatë, agjentët dhe specialistët e sektorit kundër narkotikëve i janë vënë në ndjekje menjëherë. Pas dy-tri minutash ndjekjeje, automjeti, si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe motit shumë të keq me stuhi, ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Dervicjan. Pikërisht në këtë moment u arrestua edhe drejtuesi i automjetit nga efektivët e policisë që i ishin vënë në ndjekje të tij. Policia nuk e ka bërë të ditur emrin e shoferit, duke deklaruar se vazhdojnë hetimet, nga të cilat do të zbulohen edhe emrat e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Marijuana
Në vendngjarje ka mbërritur edhe grupi hetimor, i cili ka konstatuar se automjeti ishte pa sedilje të pasme dhe ishte i mbushur plot me pako të mbështjella me letër natriban në formë cilindrike, të mbuluara me çanta shpine të zeza, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike. Gjithashtu, u gjet edhe një çantë e madhe shpine, edhe kjo e mbushur me pako të tilla, në të cilën kishte marijuanë. Nga këqyrja dhe numërimi i pakove rezultoi se në automjet kishte 285 pako me peshë një kilogram secila dhe 3 pako me peshë 5 kilogramë secila, me paketim të ndryshëm dhe me emërtime ku ishin përdorur shkronja dhe numra mbi paketim, gjithsej 300 kilogramë. Policia sekuestroi lëndën narkotike dhe automjetin në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, antikontrabanda vijon punën për kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.