Moisiu përshëndet SHBA-në për llotarinë "Millenium"
21/10/2004 Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, priti dje në një takim nënsekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe përfaqësues i lartë për Vendet në Zhvillim, Anarul Çodri, i cili ndodhet në vendin tonë për të hapur punimet e konferencës “Zhvillimi i demokracisë nëpërmjet edukimit paqësor”. Presidenti Moisiu vlerësoi rolin dhe kontributin e OKB-së në ruajtjen e paqes, zgjidhjes së konflikteve në rajone të ndryshme të botës, nxitjes së respektimit të të drejtave të njeriut dhe zhvillimit ekonomik-social në botë. Moisiu, duke vënë theksin në një nga objektivat e strategjisë së Millenium-it të ri të OKB-së të luftës kundër varfërisë, tha se në rastin e vendit tonë mbështetja duhet të synojë në objektiva konkrete, sikurse është në radhë të parë punësimi i njerëzve në ato zona, ku zhvillimi bashkëkohor ka nxjerrë me kohë jashtë përdorimit burimet ekzistuese. Nga ana e tij, Çodri i përcolli Presidentit Moisiu përshëndetjet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan dhe shprehu kënaqësinë që vendi ynë bën pjesë në projektet e Millenium-it. Ai informoi për një objektiv shumë të rëndësishëm të projekteve të OKB-së, që ka të bëjë me qeverisjen e mirë dhe falenderoi për mbështetjen që Moisiu u ka dhënë sistemit të agjencive të OKB-së në vendin tonë.