E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefanopulos: Qeveria të regjistrojë popullsinë sipas fesë

21/10/2004  Presidenti i Greqisë, Kostandinos Stefanopulos, nuk ka harruar të acarojë dhe marrëdhëniet e minoritarëve në Shqipëri, veç çështjes së pronave çame.

Ndërsa, në takimin me Kryeministrin Fatos Nano ka thënë se minoritetet kanë më shumë të drejta se më parë, në fshatin e lindjes së gjyshit të tij, Stefanopulos ka shprehur krejt të kundërtën. Madje, dhe një herë ai ka kërkuar regjistrimin e minoriteteve, duke u shprehur mosbesues ndaj shtetit shqiptar. Në fjalën e mbajtur në Dhrovjan, Stefanopulos tha që në regjistrimin e popullsisë, që duhet të bëjë Qeveria shqiptare duhet të deklarohet kombësia dhe feja. Në lidhje me këtë qëndrim, ai tha se minoritarët janë dyfish grekë, pasi qëndrojnë në fenë ortodokse, edhe pse janë të rrethuar nga besime të tjera. Shpesh politikanët grekë e kanë barazuar besimin me kombësinë. Ndërsa në deklarata të ndryshme diplomatët grekë janë shprehur se minoritetet greke në Shqipëri janë më shumë se 5 për qind. Në deklaratën para minoritarëve në Dhrovjan, Stefanopulos ka kundërshtuar dhe një herë tjetër qëndrimet e tij të mëparshme. Ndërsa ka kërkuar që grekët të mësojnë shqip, ai ka harruar të marrë informacion se, sipas Konventës të të Drejtave të Njeriut, minoritetet në Shqipëri mësojnë në gjuhën e tyre, në rast se dëshirojnë. Prej një viti në të gjitha zonat, ku ka minoritete, shenjat dalluese në të gjitha rrugët janë në gjuhën greke. Menjëherë pas miratimit të këtij ligji, shenjat lajmëruese në zonat me minoritet janë vendosur në gjuhën e tyre. Madje, kjo masë u mor gjatë debatit për miratimin e një Rezolute në Kuvendin e Shqipërisë që do të kërkonte të drejtat e pronësisë së popullsisë çame.

Minoritetet

Sipas një deklarate të Departamentit amerikan të Shtetit, minoritetet greke në Shqipëri nuk janë më shumë se 1,7 për qind. Ndërkohë, për zbatimin e të drejtave të minoriteteve, raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë thekson se të drejtat e tyre janë në standardet e kërkuara. Madje, një nga të paktat pika, ku është vlerësuar Shqipëria, janë të drejtat e njeriut. Ndërsa e kundërta po ndodh me emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilëve vetëm së fundi kanë krijuar mundësi të vogla për arsimimin në shqip. Nga ana tjetër, në një regjistrim të popullsisë në Shqipëri, INSTAT-i ka vlerësuar se në Shqipëri janë vetëm 1, 84 për qind janë minoritarë. Ndërsa në një raport të Bashkimit Evropian është thënë se të drejtat e pakicave greke janë të plotësuara, por vëmendja është tërhequr për arumunët, të cilët në pjesën më të madhe janë të paarsimuar. Megjithatë, Presidenti i Greqisë ka dhënë dy qëndrime të kundërta me veten e tij. Së pari, është shprehur në takimin me Nanon se minoritetet greke kanë të drejta, ndërsa në takimin në Dhrovjan ka lënë të nënkuptohet se të drejtat do të shihen pas regjistrimit të popullsisë, duke pretenduar hapur se minoriteti grek është shumë më i madh nga sa deklarohet.

Përcaktimi i Kushtetutës për fenë në Shqipëri

Neni 10

1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.

2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.

3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare.

4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.

5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›