E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezenca e OSBE reduktohet vetëm pas zgjedhjeve të lira

21/10/2004  Kreu i OSBE-së me qendër në Vjenë, ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Sollomon Passi, ka bërë të ditur se reduktimi i Prezencës do të ndërmerret vetëm në rast se zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike. Në një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Kastriot Islami, Pass është shprehur se "doja t’ju siguroja se këtu OSBE-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj për sistemin zgjedhor dhe secili prej 54 vendeve anëtarë është për këtë vendim". Në këtë mënyrë, ndryshe nga sa do të veprohet me vendet e Ballkanit, ku prezenca e OSBE-së pritet të reduktohet në Shqipëri, përcaktuese do të jenë zgjedhjet si dhe reformat e kërkuara për integrimin në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër ministri i Jashtëm i Bullgarisë është shprehur dhe për rritjen e bashkëpunimit për arritjen në një Shengen Ballkanik. Për këtë, ai tha se janë reduktuar procedurat për vizat e shqiptarëve.

Reduktimi OSBE

"Kur fola për reduktimin e pranisë së OSBE-së në Ballkan, fola për të gjitha vendet e Ballkanit. Por kjo varet nga disa faktorë, përfshirë këtu edhe afatet kohore, të cilat varen nga qeveritë", tha dje Passi. Sipas tij, puna e OSBE-ja në Ballkan në këto 15 vitet e fundit ka qenë e shkëlqyeshme. "Nëse kemi arritur këtë nivel stabilizimi dhe zhvillimi ekonomik në Ballkan, në një masë të madhe kjo është në sajë të rolit të OSBE-së. Tashmë ka zona të tjera brenda hapësirës së OSBE-së, ku organizata mund të jetë më e dobishme dhe më e nevojshme. Prandaj ne duam të rifokusojmë sferën e aktiviteteve tona", tha ai. Ndërkohë, Kryeministri Fatos Nano, në takimin me kreun e OSBE-së, siguroi se të gjitha çështjet e reformës zgjedhore do të vazhdojnë të ndikohen nga fryma konsensuale, e cila është shumë e rëndësishme në këtë funksion.

Vizat Shengen

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, që ka dhe kryesimin e radhës së OSBE-së, konfirmoi dje se me krerët e shtetit shqiptar ka diskutuar dhe për lëvizjen e lirë. Madje, ai tha se ky është një angazhim tepër i rëndësishëm. Në takimin me Presidentin Moisiu, ai tha se shteti bullgar ka hequr regjimin e vizave për grupe të ndryshme të shqiptarëve. Ndërsa ka përshëndetur dhe veprimin e marrë nga pala shqiptare disa muaj më parë. Nga ana tjetër, Passi është shprehur se do të mbështesë angazhimin për financimin e Korridorit të Tetë, nga Bashkimi Evropian si një korridor tepër i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit të Ballkanit. Sipas Passit, është i rëndësishëm bashkëpunimi që kanë ndërmarrë vendet nga ku kalon ky korridor, ndaj dhe Bullgaria do të vijojë të mbështesë financimet për Korridorin Tetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›