E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia bllokon cisternat që vadisin hashashin

Lazarati, kryeqendra e kultivimit të bimëve narkotike, bëhet sërish pjesë e aksioneve antidrogë të Policisë së Gjirokastrës. Në kuadër të operacioneve antikanabis, mëngjesin e djeshëm është bërë e mundur bllokimi i një kamioni të ngarkuar me 3 cisterna plastike me ujë nga 2 tonë, në tentativë për të hyrë në fshatin e Lazaratit. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se aksioni është kryer rreth orës 09.00 të mëngjesit të së enjtes, në aksin rrugor Gjirokastër-Dervicjan, në vendin e quajtur Kordhocë. Shërbimet e policisë bllokuan kamionin, i cili shërben për transport mallrash, ku siç është mësuar, do shërbente për ujitjen e bimëve narkotike. Në këtë aks, forcat e policisë janë duke kryer shërbime patrullimi 24-orëshe, duke bërë të mundur bllokimin e të gjitha automjeteve që tentojnë të futen në fshatin Lazarat. Kamioni është mbajtur i bllokuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, ndërsa mësohet se në momentin e bllokimit nga policia, drejtuesi i mjetit nuk dispononte dokumentacionin përkatës të automjetit. Aksioni i djeshëm është në vijim të masave të marra nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, për bllokimin e të gjitha automjeteve që shërbejnë për transport të ujit dhe të plehut në drejtim të fshatit Lazarat, ku nga informacionet që disponojnë agjentët dhe specialistët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, ky ujë dhe pleh do të përdoret për kultivim të bimëve narkotike. Javën e parë të korrikut, një operacion i ngjashëm u finalizua me bllokimin e 8 kamionçinave, të cilat ishin të ngarkuara me cisterna metalike dhe plastike që shërbenin për transport uji dhe 16 kamionçina me ngarkuara me pleh organik, të cilat po tentonin të hynin për në fshatin Lazarat.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, paralajmërojnë se kontrollet për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, si edhe aksionet e nisura ditë më parë për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjithë qarkun.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›