Policia nis aksionin ndaj taksive pa licencë
Policia e Tiranës ka ndërmarrë një aksion kundër taksive që qarkullojnë pa licencë. Kështu, gjatë këtyre dy javëve në disa segmenteve rrugore të Tiranës është ushtruar kontroll ndaj drejtuesve të mjeteve taksi të tipit (8+1) dhe (4+1), ku janë bllokuar 26 automjete për dokumentacion jo të rregullt dhe pa licencë. Bazuar në nenin 85 pika II të Kodit Rrugor, i cili konsiston në konfiskimin e automjeteve për shkak të ushtrimit të profesionit taksi në mënyrë të paligjshme, shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Tiranë, pasi kryen kontrollin e dokumentacionit përkatës të mjeteve, përpiluan procedurat e duhura ligjore dhe bënë bllokimin e automjeteve, duke i shoqëruar ato me shërbime, deri në pikën e bllokimit. Ndërkohë, janë ndëshkuar me masën administrative gjobë në vend 164 drejtues mjetesh, parashikuar nga neni 156 i Kodit Rrugor për ata drejtues mjetesh, të cilët parkojnë në mënyrë të gabuar mjetet në vendet e përcaktuara për shërbimin taksi. Po ashtu, shërbimi Taks-Forcë i Policisë Rrugore, po bashkëpunon edhe me Shoqatën e Transportit të Shqipërisë, për goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm. Nga ana tjetër, policia rrugore e Tiranës vazhdon aksionin kundër shoferëve debitorë dhe shkelësve të qarkullimit rrugor. Kështu, gjatë ditës së djeshme policia ka ndërmarrë kontrolle dhe masa ndëshkuese, ku janë pezulluar për mosshlyerje të detyrimeve 28 leje qarkullimi të automjeteve. Nga shlyerja e detyrimeve që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative, u arkëtuan nga Posta Shqiptare 492 masa administrative të likuiduara nga drejtuesit e mjeteve. Gjatë 24 orëve të fundit, në Qarkun e Tiranës janë vendosur 645 gjoba dhe janë pezulluar 10 leje drejtimi.
Ble. Gi.
Ble. Gi.