Terrorizon fshatin me armë, prangoset 52-vjeçari, Hametaj
Terrorizon fshatin duke qëlluar në ajër, prangoset 52-vjeçari. Burimet zyrtare të Policisë së Beratit thanë dje për gazetën se rreth orës 06.00 të ditës së djeshme, kanë vënë në pranga dhe dërguar në dhomat e paraburgimit shtetasin Ali Hametaj, 52 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Osmënzezë, Komuna Sinjë, rreth 30 km në jug të qytetit të Beratit. Të njëjtat burime sqaruan se ndaj tij u vendos masa e arrestit për akuzat e "prishjes së rendit e qetësisë publike" dhe "armëmbajtjes pa leje". Të njëjtat burime kanë pohuar se një person anonim, banor i fshatit Osmënzezë, ka telefonuar në numrin 129 të zyrës operative të Drejtorisë së Policisë, se prej disa netësh bashkëfshatari i tij, Ali Hametaj, po terrorizonte fshatin, duke shkrepur breshëri të zgjatura automatiku në ajër. Pas këtij njoftimi, policia ka verifikuar se personi në fjalë ishte skeduar në dosjet e saj, në rrugë operative, se drogohej dhe posedonte në banesën e tij lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Mësohet se uniformat blu kishin programuar kontroll në banesën e tij, për posedim të lëndës narkotike, por pas denoncimit të një nate më parë, një patrullë policie ka shkuar në fshatin Osmënzezë, pak para orës 06.00 të ditës së djeshme dhe janë futur menjëherë në banesën e 52-vjeçarit Ali Hametaj. Por, ky i fundit ka mundur t‘u largohet forcave të policisë, së bashku me armën e tij, duke tentuar të fshihej në pyllin e dendur në periferi të fshatit. Policia ka bërë të mundur prangosjen e tij vetëm pak minuta më pas. Mësohet se 52-vjeçari nuk ka bërë rezistencë gjatë momentit të arrestimit. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën që ai mbante pa leje, një automatik model 56, të kalibrit 7.62 mm dhe një krehër me 15 fishekë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia nuk ka gjetur lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, siç ishte informuar në rrugë operative. Tashmë ai do të përgjigjet për akuzat e "prishjes së rendit dhe qetësisë publike" dhe "armëmbajtjes pa leje". Materialet iu kaluan organit të prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.