E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden për pronën, plagos me çifte komshiun

Mosmarrëveshjet për çështje pronësie kanë përfunduar sërish në konflikt me armë. Për pasojë, një 53-vjeçar është plagosur në këmbë, ndërsa komshiu i tij është prangosur nga policia. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në lagjen "Guerile" të qytetit të Shkodrës. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se në konflikt janë përfshirë Sabri Gruda, 53 vjeç dhe Enver Kryeziu, fqinj me njëri-tjetrin. Mësohet se objekt i debatit mes tyre, që ka degjeneruar më pas në përplasje me armë zjarri, ka qenë një copë toke që ndodhet mes shtëpive të tyre. Ishte ora 11.30, kur dy fqinjët, pasi kanë debatuar ashpër me fjalë me njëri-tjetrin, kanë marrë armët. Mësohet se Sabri Gruda është armatosur me automatik, ndërsa komshiu i tij ka marrë një armë gjahu të tipit çifte. Në debat e sipër, Kryeziu ka qëlluar me çifte në drejtim të Grudës, duke e plagosur atë në këmbë. Ky i fundit është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Shkodër, ku pas ndihmës së parë mjekësore, mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes menjëherë ka shkuar një patrullë policie, e cila ka bërë të mundur të arrestojë në flagrancë 45-vjeçarin Enver Kryeziu, si edhe të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale armët e zjarrit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›