Qëllojnë me armë dy të rinj, policia në kërkim të autorëve
Qëllojnë me armë në qendër të qytetit të Elbasanit, policia nuk ka mundur të prangosë asnjë prej autorëve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.40 minuta të së martës, te Kryqëzimi Rinia, në lagjen "Luigj Gurakuqi". Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se 19-vjeçari Sued Koka, banues në lagjen "Shënkoll", së bashku me një shokun e tij ende të paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri, tip pistolete, në drejtim të një mjeti tip "Toyota", ku udhëtonin Aldo Deliu, vjeç 20 dhe 19-vjeçari Armando Zeqaj. Fatmirësisht plumbat nuk kanë prekur trupat e të rinjve. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia së bashku me grupin hetimor, ku pasi kanë kryer veprimet e para, është konstatuar se shkak për këtë ngjarje ka qenë një konflikt për motive të dobëta, i nisur një ditë më parë. Të njëjtat burime sqarojnë se një ditë më parë, këta persona kanë qenë duke udhëtuar me mjetin e tyre dhe në ecje e sipër kanë qëlluar me mjete të forta në drejtim të 19-vjeçarit Sued Koka. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se të rinjtë ishin konfliktuar në një lokal në periferi të qytetit, në dehje e sipër për shkaqe banale. Ndërkohë, mësohet se policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pesë gëzhoja pistolete të tipit "TT" dhe po punohet për kapjen e Sued Kokës dhe bashkëpunëtorëve të tij.