E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Bashkise se Korces perplaset me policine e rendit

Konflikti Prefekti urdhëroi prishjen e asfaltit në qendër, kryebashkiaku ndaloi punëtorët dhe mjetet

Rihapet konflikti mes Bashkisë së Korçës dhe prefekturës për  rikonstruksionin e një pjesë të bulevardit kryesor të qytetit, që mban të bllokuara prej më shumë se dy muajsh punimet. Tentativa e ndërhyrjes për prishjen e punimeve për asfaltimin e bulevardit afër mesnatës së të martës ka sjellë ndërhyrjen e shpejtë të bashkisë dhe policisë që ajo ka në varësi. Situata e tensionuar ka zënë fill në mesnatën dhe ka vazhduar edhe gjatë ditës së mërkurë, me praninë e forcave të shumta policore, si ato të bashkisë, asaj të rendit dhe qarkullimit rrugor.

Mesnatën e së martës, punëtorë dhe mjete të rënda kanë nisur të prishin asfaltin e sapohedhur para ish-kinema “Morava”. Por, drejtues të bashkisë dhe policia bashkiake, sapo janë njoftuar, kanë ndërhyrë për të ndalur prishjen e asfaltit. Pas tyre kanë mbërritur uniformat blu të rendit. Prania e forcave të rendit, që nuk ka ndërhyrë për të larguar punëtorët e paautorizuar dhe mjetet e rënda dhe e asaj bashkiake, që ka marrë urdhër të ndalojë me çdo kusht prishjen e asfaltit, ka rrezikuar tensionimin e situatës në mesnatë. E njëjta gjendje ka vazhduar deri në mesditën e djeshme, kur qytetarët korçarë kanë qenë dëshmitarë të një grumbullimi të jashtëzakonshëm policësh në qendër të Korçës dhe krahas tyre mjete të rënda të rrethuara me shiritat e policisë bashkiake. Dhjetëra forca të policisë së rendit dhe asaj të qarkullimit rrugor kanë qenë të pranishme në sheshin para kinemasë, dhe përballë tyre policia bashkiake dhe drejtues të bashkisë që vrojtonin situatën. Drejtuesit lokalë kanë pretenduar që punëtorët të shoqëroheshin në komisariat për ndërhyrjen e paligjshme, por policia nuk shoqëroi askënd për këtë incident. Niko Peleshi, kryetar i Bashkisë së Korçës, e cilësoi këtë ndërhyrje si të paligjshme dhe të nxitur politikisht dhe urdhëruar nga Tirana. Nga ana e tij, prefekti Andrea Mano sqaroi se ndërhyrja e kryer gjatë natës është bërë nga ana e Drejtorisë së Rrugëve, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që të mos kalojnë në një shesh me baltë në prag të festave të fundvitit. Mano tha se nga ana e bashkisë nuk janë marrë peng vetëm punëtorët, por edhe mjetet që u dërguan për të prishur atë që para pak ditësh u asfaltua në bulevardin e shkatërruar nga punimet e kanalizimit të ujërave të zeza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›