Apeli i Vlores vendos ekstradimin e Prudentinos
Gjykata e Apelit të Vlorës lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për ekstradimin e Albino Prudentinos, i cili akuzohet si pjesëtar i organizatës mafioze “Sacra Corona Unita”. Ndonëse ishte vetë Prudentino ai që kërkoi ekstradimin për në Itali, 59-vjeçari ankimoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për ekstradimin e tij. Dje, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi të njëjtin vendim të Shkallës së Parë, por këtë herë sipas burimeve të kësaj gjykate, vendimi ka qenë i formës së prerë. Kështu që 59-vjeçari Albino Prudentino do të ekstradohet drejt Italisë, nga ka ardhur edhe vendimi për arrestimin e tij. Arrestimi i Prudentinos u bë në datën 29 shtator të këtij viti, në qytetin e Vlorës, ku 59-vjeçari jetonte prej disa kohësh dhe kishte hapur disa aktivitete private. Urdhri për arrestimin e tij u bë në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar të emërtuar “Kalipso”, për kapjen e pjesëtarëve të organizatës mafioze “Sacra Corona Unitta”.