Te evakuarit Te kthehemi per Vit te Ri
Shkodra merr sërish frymë. Teksa ditën e martë u duk se rritja e shpejtë e nivelit të liqenit dhe lumenjve po rrezikonte sërish një përmbytje masive, me pushimin e reshjeve niveli i ujit ka pësuar rënie. Sipas raportimit të shtabit të emergjencës, mëngjesin e djeshëm, niveli i ujit pranë urës së lumit Buna ka qenë 8.81 m, rreth 3 cm më pak se një ditë më parë. Ndërkohë që edhe gjatë orëve të pasdites uji ka pasur tendencë rënieje. Përmirësimi i kushteve në lumin Buna ka larguar rrezikun nga lagjet e qytetit të Shkodrës. Me rritjen e nivelit të lumit Buna dhe dalja nga shtrati, uji i këtij lumi rrezikon të futet në qytet nëpërmjet kolektorëve të shkarkimit të ujërave të bardha e të zeza, si dhe duke depërtuar sipër molos së urës së Bunës.
Sipas shtabit të emergjencës, bëhet e ditur se kuota e lumit Drin te ura e Bahçallëkut është 8.73 m dhe shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës janë 980 metra kub në sekondë. Ndërkohë që lumi Kir dhe Gjadër vazhdojnë të kenë prurje të konsiderueshme, megjithëse më të ulëta se një ditë më parë. Pavarësisht përmirësimit sipërfaqësor, situata mbetet shqetësuese në shumë fshatra të zonës së Nënshkodrës. Kështu, Oboti, Çasti, Pentari, Trushi, Daragjati, Samrishi dhe shumë zona të tjera vazhdojnë të kenë prezencë të lartë uji, duke vështirësuar së tepërmi jetesën jo vetëm për njerëzit, por dhe për gjënë e gjallë.
Ndërkohë, shtabi i emergjencës në Shkodër vazhdon t’u bëjë thirrje njerëzve që të mos nguten për t’u larguar nga qendrat e evakuimit, pasi situata është ende tërësisht në varësi të kushteve atmosferike.
Nga 14 mijë që ishte numri i të evakuarve në pikun e përmbytjes masive të pak ditëve më parë në zonën e Nënshkodrës dhe lagjet e qytetit, dje numri i tyre ka rënë ndjeshëm. Duke iu referuar shifrave të marra nga shtabi i emergjencës, vetëm rreth 2 mijë persona mund të klasifikohen si të evakuuar, pasi pjesa më e madhe e tyre janë duke qëndruar tek të afërmit, ndërsa një numër më i vogël qëndrojnë në konviktet e shkollave që janë kthyer në qendrat pritjeje për të evakuarit. Në këto të fundit tashmë nuk lejohen as gazetarët. Drejtuesit e qendrave të pritjes kërkojnë të kesh marrë leje në drejtori për të kontaktuar me të evakuarit. Por pavarësisht kësaj, dje arritëm të takonim një familje, e cila prej datës 3 dhjetor jeton në konvikt. Kryefamiljari Hasan Pelingu tregon: “Kam 20 ditë që nuk fle në shtëpi. Unë banoj në lagjen “Tophanë”, dhe uji në shtëpinë time arriti mbi një metër. Ikëm pasi rrezikonim jetën, jo vetëm ne si të rritur, por dhe fëmijët dhe nipërit. Niveli i ujit po rritej me shpejtësi dhe ishte një tmerr të qëndroje në banesë. Kur na nxorën, uji brenda në shtëpi kishte arritur një metër. M’u duk sikur më nxorën nga liqeni, sikur më shpëtuan jetën. Në banesë, ndonëse ka ikur uji, nuk kam mundur të shkoj për shkak të problemeve të shumta që ka lënë përmbytja, duke nisur që nga futja e ujërave të zeza, dhe muret që kanë nisur të çahen e rrezikojnë të shemben. Lagështira e ka bërë shtëpinë thuajse të pabanueshme, ndaj dhe pse uji ka ikur, unë nuk kam ku të shkoj. Nuk kam mundësi financiare as për ta lyer, jo më të filloj të bëj suvatime. Jemi në pikë të hallit, pasi nuk e dimë sa do të na mbajnë dhe pastaj nuk dimë ku të shkojmë”, - tregon Hasani, duke shtuar se pak ditë më parë kanë shkuar të pastrojnë llumin që kishte hyrë brenda në banesë, por rritja e nivelit të ujit ka shkaktuar të njëjtat probleme. “Uji mund të futet sërish në shtëpi, dhe për këtë arsye nuk ia vlen të pastrojmë. Ajo që më duket më shumë e tmerrshme, është fakti se do na duhet të kalojmë Vitin e Ri në kushte emergjence. Jo se këtu në konvikt jemi keq. Këtu na trajtojnë mjaft mirë, madje kemi dhe një mjek që vjen dhe na pyet nëse kemi probleme, por na mungon shtëpia. Rrimë me shpresën që të nisë sa më shpejt verifikimi i dëmeve, të marrim lekët dhe të nisim të riparojmë shtëpitë tona. Jemi dëmtuar ekonomikisht, moralisht dhe psikologjikisht. Netët i kalojmë mes psherëtimave dhe nuk dimë se kur do të mbarojë ky makth. Uji na mundi keqas”, - thotë Hasani.
Tashmë, në prag të festave të fundvitit, në qendrat e pritjes së të evakuarve vihet re se shumë njerëz kanë dëshirë të rikthehen në banesat e tyre. Duan që të paktën nata e ndërrimit të viteve t’i gjejë në shtëpitë e tyre. Shumë prej të evakuarve dëgjohen të thonë se, më shumë se dëshirë është një besëtytni, pasi nëse viti 2011 i gjen jashtë, i gjithë viti do t’i gjejë larg shtëpive të tyre.