E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Elbasanit shpall në kërkim tre ish-drejtorë të elektrikut

Tre ish-drejtorë të Ndërmarrjes Elektrike të Elbasanit janë shpallur në kërkim, një inxhinier është arrestuar, dy të tjerë janë lënë në arrest shtëpie dhe dy me detyrim paraqitje. Gjykata e Elbasanit ka marrë këto masa të kërkuara nga prokuroria e rrethit për tetë zyrtarë. Akuza për të gjithë ka qenë për shpërdorim detyre në trajtimin e fondeve buxhetore gjatë zhvillimit të tenderëve për tetë vjet me radhë. Ka qenë një investigim i gjatë dhe tepër sekret i sektorit të luftës kundër krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit. Hetimet e specialistëve kanë qenë intensive muajin e fundit për veprimtarinë e ish-drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Artan Topi, por dosjet për korrupsion janë hapur që tetë vjet të shkuara, duke përfshirë në hetime drejtues të emëruar nga PD dhe PS. Aksioni antikorrupsion i koduar "Indikatori" është zhvilluar shpejt dhe është mbajtur top-sekret, derisa ai ka përfunduar me shoqërimin në polici të pesë personave, ndërsa tre krerët kryesorë janë shpallur në kërkim, pasi nuk ndodhen aktualisht në qytetin e Elbasanit. Sipas komunikimit zyrtar të policisë së Elbasanit, prokuroria ka marrë masën e arrestit me burg pa afat për Nikolla Tupen, Ndriçim Banjën dhe Artan Topin, që janë shpallur në kërkim dhe vendimi është marrë në mungesë. I vetmi i arrestuar është Shpëtim Lamçja, me detyrë pjesëmarrës i enteve të prokurimit, ndërsa masa e arrestit të shtëpisë është marrë për Ilir Dervishhasanin dhe Qamil Meminuin. Natasha Gjorga dhe Eduart Garunja hetohen në gjendje të lirë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›