Policia e Kosovës dëbon ministrin serb Goran Bogdanoviç
Policia ka ndaluar kolonën e automjeteve në të cilën ndodhej Bogdanoviç, pas një vizite në fshatin Sevce. Sipas mediave serbe, komandanti rajonal i policisë i kishte përcjellë Bogdanoviçit urdhrin e qeverisë së Kosovës se duhet të braktisë territorin e saj.
Këtë lajm e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, duke thënë se Bogdanoviç është kthyer mbrapsht pasi ka qëndruar në Kosovë pa lejen e institucioneve vendase.
"Bogdanoviç është duke u kthyer në pikën kufitare në Merdare" ka thënë Kelani për Radio Kosovën.
Ndërkaq, Bogdanoviç u ka thënë gazetarëve serbë se fjala është për një gjest të padrejtë të autoriteteve të Kosovës, sepse sipas tij, ai është banor i Kosovës dhe pavarësisht funksionit të ministrit, ka të drejtë të lëvizë nëpër Kosovë. Bogdanoviç është ankuar se i janë cenuar të drejtat themelore të njeriut në lëvizjen e lirë, duke thënë se nuk dëshiron të bëjë incident.