E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi, Kryeministri proteston tek ambasadorët për dëbimin e Bogdanovicit

BEOGRAD - Kryeministri i Serbisë Mirko Cvetkovic ka mbledhur dje me urgjencë ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për t'u shprehur protestën me rastin e pengimit të ministrit për Kosovën Goran Bogdanovic për të vizituar territorin e komunës së Shtërpcës. Cvetkovic ka theksuar se "është e palejueshme" që në këtë mënyrë të shkelen të drejtat e njeriut dhe liria e lëvizjes në "krahinën tonë jugore". Kreu i qeverisë serbe ka kërkuar mbështetjen e këtyre vendeve për dënimin e sjelljes së tillë të EULEX-it dhe KFOR-it dhe sigurimit të kushteve civilizuese të jetës në Kosovë, thuhet në një njoftim të qeverisë serbe. Nuk dihet se për cafrë do të shërbejë mbledhja e qeverisë serbe me ambasadorët e huaj, kur pak orë kësaj mbledhje, dje, BE deklaroi zyrtarisht se ministri serb për Kosovën Goran Bogdanovic ka shkelur gjithë procedurat, ndaj me të drejtë është dëbuar nga Kosova. Sipas zyrës së përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Kosovë, Bogdanovic nuk ka respektuar institucionet kosovare dhe ato ndërkombtare që janë përgjegjëse për vizitat zyrtare në Kosovë. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›