Policia pajiset me 297 automjete të reja
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zv/ministri i Brendshëm, Avenir Peka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtues të tjerë të strukturave vendore te policisë. Gjatë fjalës së tyre, zv/ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit evidentuan faktin se është hera e parë që bëhet e mundur blerja e një sasie të tillë kaq të konsiderueshme automjetesh për Policinë e Shtetit. Po ashtu ata theksuan se të 297 automjetet, që llogariten përafërsisht sa ¼ e mjeteve në inventarin e Policisë së Shtetit, do të vihen në dispozicion vetëm për shërbimet policore në bazë. “Kjo sasi automjetesh do të ndikoje drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës së shërbimeve policore në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit”, theksoi Burgaj. 297 automjetet e shpërndara gjatë ditës së sotme janë të destinuara për të gjitha drejtoritë e policisë së qarqeve në vend, kryesisht për strukturat e shërbimeve të policisë së rendit dhe qarkullimit rrugor. 90 nga automjetet e reja, të financuara nga buxheti i shtetit, u janë shpërndarë drejtorive të policive në qarqe për t’u vendosur në dispozicion të strukturave të shërbimit të policisë rrugore. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë në dispozicion të strukturave të shërbimit të patrullave të përgjithshme të Policisë së Shtetit.