E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks në rrugët e Durrësit, trafik disaorësh

26/07/2011  Radhët e gjata kryesisht në rrugën hyrëse për në qytet dhe në dy rrugët për në plazh

DURRES- Sezoni veror dhe mbërritja e një pjese të konsideruar e emigrantëve shqiptarë për të kaluar periudhën e pushimeve stinore në Durrës kanë bërë që rruga hyrëse e dalëse dhe rrugët kryesore të brendshme të paralizohen për orë të tëra. Fluksi në qarkullim ndihet në qytet rreth orëve të paradites, pasdite dhe në mbrëmje. Efektivat e policisë kanë bërë të ditur se qyteti ndien shumë vështirësi në orën 10-11, 14-16, 19-20.

Trafiku

Paradite radhët e gjatë janë kryesisht në rrugën hyrëse për në qytet dhe në dy rrugët për në plazhin e madh të qytetit. Paradite një numër i madh automjetesh përpunohen nga tragetet e linjave dhe që andej futen në qytet duke rënduar edhe më tej trafikun. E njëjtë është situatë edhe në rastet e shtimit të fluksit të automjeteve të pushuesve apo shtetasve që kalojnë transit nëpërmjet Durrësit. Paditja sjell në fokus të policisë të njëjtin problem, atë të tejngarkesës së rrugëve të brendshme e të jashtme të qytetit. Efektiva shtesë të policisë janë vendosur në kryqëzimet e parregulluara me semaforë, në pikat hyrëse e dalëse në qytet, plazh, autostradë, port e pika të tjera nyje. Në planizimin e shërbimeve janë mbajtur parasysh edhe pikat e zeza të trafikut. Çdo nyje rrugore pavarësisht nëse ka apo jo semafor mbikëqyret nga efektivat e policisë së trafikut rrugor. Durrësi për shkak të numrit të madh të pushuesve që hyn në qytet dhe në zonat turistike të saj ka përfituar kontingjent shtesë me efektiva policie të kualifikuar. Inspektor të Policisë Rrugore në mbështetje të bluve të Durrësit kanë ardhur nga Tirana, Shkodra, Kruja dhe rrethe të tjera.

Fluksi nga jashtë vendit

Gjatë fundjavës janë përpunuar në port 14.794 shtetas të ardhur me 23 tragete në hyrje dhe 22 në duke e bërë të domosdoshme nevojën e rritjes së pranisë së uniformave blu. Njëherësh janë përpunuar edhe 3950 autovetura në sportelet e terminalit të trageteve. Krerë të Inspektoratit të Policisë kanë thënë se që nga mesi i muajit korrik kryesisht në Plazh, por edhe tek Shkëmbi Kavajës, Golem dhe në disa zona të tjera ka prani të Policisë së Shtetit të Kosovës. Këta të fundit kontrollojnë dokumentacionin kryesisht të automjeteve me targa kosovare, duke lehtësuar së tepërmi punën e bluve të Durrësit dhe Inspektoratit të Trafikut Rrugor. 492 drejtues mjeti kanë shkelur Kodin Rrugor në harkun kohor të dy ditëve të fundjavës, duke bërë që policia të ndëshkojë me 449.500 lekë gjobë. Nga ana tjetër për shkak të shkaktimit të aksidenteve një pjesë e të cilave me pasoja për jetën dhe shëndetin e njerëzve policia ka pezulluar 9 leje drejtimi dhe ka bllokuar 12 automjete, të cilat janë dërguar në pikën e ruajtjes për të qëndruar deri në shprehjen me vendim gjykate për përgjegjësinë e drejtuesit. Çështje problematike mbetet mungesa e rojeve në brezin e parë të detit për të kryer operacione shpëtimi. Njëmbëdhjetë shtetas të moshave të ndryshme kanë humbur jetën që nga fillimi verës në qarkun e Durrësit duke u mbytur në det a liqen apo edhe duke vdekur sapo kanë hyrë në det. Shërbimi shëndetësor ankohet për numrin e paktë të personelit të bluzave të bardha në zonën bregdetare me fluks të madh pushuesish, ndërsa qeverisja vendore ende nuk ka marrë votëbesimin e këshillit për shkaqe burokratike. Kjo ka bërë që të mos afrohen fonde në zbatimin e programeve të domosdoshme duke krijuar pasiguri në brezin e rërës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›