E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Prokuroria nuk mbrojnë viktimat e trafikut njerëzor

29/06/2011  Raporti i plotë i DASH për Shqipërinë. Korrupsioni në drejtësi pengon luftën kundër trafikimit

Viktimat kanë frikë të denoncojnë trafikuesit, kërcënohen gjatë gjyqit

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin në Shqipëri thuhet se “Shqipëria është një vend burimi për burra, gra, dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar, përfshirë lypjen e detyruar të fëmijëve. Viktimat shqiptare i nënshtrohen kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit për shfrytëzim seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe në Evropën Perëndimore. Afro gjysma e viktimave që u referuan për përkujdesje brenda territorit të vendit gjatë vitit 2010 ishin gra dhe vajza shqiptare që i nënshtroheshin kushteve të seksit të detyruar në hotele dhe rezidenca private në Tiranë, Durrës dhe në Vlorë. Fëmijët në radhë të parë shfrytëzoheshin për lypje të detyruar dhe forma të tjera të punës së detyruar; disa vajza i ishin nënshtruar prostitucionit ose punës së detyruar pas martesave me shkuesi. Ka të dhëna që burra shqiptarë i janë nënshtruar punës së detyruar në sektorin bujqësor në Greqi dhe në vende të tjera fqinje.

Rekomandime

Të vazhdojë të përmirësojë zbatimin e MKR-së dhe të sigurojë pjesëmarrjen e plotë të të gjithë nënshkruesve; të ndjekë penalisht në mënyrë agresive kundërvajtësit ligjzbatues që janë bashkëfajtorë në trafikimin njerëzor; të hetojë plot forcë dhe të ndjekë penalisht kundërvajtësit e trafikimit për shfrytëzim seksual ose punë; të fuqizojë koordinuesin e ri viktimë-dëshmitar dhe prokurorët e specializuar për të ndihmuar në krijimin e një përgjigjeje shumë-disiplinore ndaj trafikimit të bazuar në fakte; të përmirësojë funksionimin e komisioneve rajonale anti-trafikim për përmirësimin e identifikimit dhe përgjigjen ndaj rasteve të trafikimit të brendshëm etj.

Ndjekja penale, kabineti qeveritar

Qeveria e Shqipërisë rriti përpjekjet e saj për zbatimin e ligjit kundër trafikimit gjatë vitit 2010. Shqipëria ndalon penalisht trafikimin për shfrytëzim seksual dhe punë me anë të neneve 110(a), 128(b), dhe 114(b) të Kodit të saj Penal, të cilat parashikojnë ndëshkime nga 5 deri në 15 vite burgim. Këto ndëshkime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për krime të tjera të rënda, të tilla si përdhunimi. Në vitin 2010, Policia e Shtetit raportoi hetimin e 51 trafikuesve të dyshuar në 37 çështje, ku të gjitha u referuan në gjykatë për ndjekje penale. Seksioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda raportoi hetimin e 29 trafikuesve të dyshuar dhe Gjykata e Krimeve të Rënda ndoqi penalisht 27 kundërvajtës të dyshuar për trafikimin në vitin 2010, duke dënuar 11 prej tyre, krahasuar me ndjekjen penale të 31 kundërvajtësve dhe dënimin e 11 prej tyre në vitin 2009. Ndëshkimet varionin gjobitje, nga 7 deri në 15 vite burgim, etj. Korrupsioni i përhapur në të gjitha nivelet dhe sektorët e shoqërisë shqiptare pengoi seriozisht aftësinë e qeverisë për të trajtuar problemin e saj të trafikimit. Qeveria nuk raportoi asnjë hetim, ndjekjeje penale a ndëshkim për trafikimin në vitin 2010, etj.

Mbrojtja

Në vitin 2010, OJQ-të dhe strehëza e qeverisë ndihmuan 97 viktima trafikimi përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit, krahasuar me 94 viktima në vitin 2009. Katërmbëdhjetë prej viktimave ishin fëmijë. Ligjzbatuesit identifikuan 51 nga 97 viktima të referuara për ndihmë; qeveria raportoi se i njëjti numër viktimash bashkëpunoi me ligjzbatuesit për çështjet e tyre. Gjatë periudhës së raportimit, qeveria finalizoi ligjin që ofron asistencë për riintegrimin e viktimave dhe siguroi pagesë prej 30 dollarë në muaj për çdo viktimë, pasi ato largoheshin nga strehëza. Viktimat shpesh refuzuan të dëshmonin si pasojë e frikës prej hakmarrjes së trafikuesve. Shpesh ekziston nevoja për mbrojtje pasi nis një proces gjyqësor. Në disa raste, policia nuk ofroi mbrojtje për viktimat e trafikimit kur dëshmonin kundër trafikuesve të tyre, duke i detyruar viktimat të mbështeteshin ekskluzivisht tek OJQ-të për mbrojtje. Prokuroria e Përgjithshme nuk kërkoi mbrojtje të dëshmitarëve për viktimat e trafikimit gjatë vitit 2010, etj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›