Policia e Sarandes zbulon 2 persona problematike

Dy banorë të fshatit Gjashtë, të skeduar prej vitesh si bashkëpunëtorë në krime të ndryshme të ndodhura në Sarandë e rrethina janë vënë sërish në pranga për të paktën 5 akuza.
Agjentët e policisë kriminale kanë vënë në pranga vetëm njërin prej tyre, pasi gjatë operacionit për kapjen e dy të dyshuarve, ata hasën rezistencë nga ana e dy grabitësve. Gjatë operacionit policor, të organizuar në fshatin Gjashtë, Sarandë, u bë e mundur kapja e shtetasit Altin Zeneli, 31-vjeç, banues në Gjashtë, Sarandë si dhe u shpall në kërkim, Mentor Bejko, 33-vjeç, të dy personazhe të njohur prej vitesh për "bëmat" e tyre. Këta shtetas, prej kohësh vepronin si grup kriminal në grabitjen e banesave në Sarandë e rrethina, kryesisht fshatra minoritare si dhe në kishat e krishtera. Gjatë orëve të vona të natës, duke lëvizur me automjetin tip "Mercedes-Benz" me targë DI 27 75 A, ata kanë arritur të kryejnë deri në 7 grabitje në natë. Banesa, biznese e kisha kanë rënë pre e dy grabitësve. Nga kontrolli i ushtruar në banesat e tyre si dhe në vendet ku fshihnin sendet e vjedhura u gjetën dhe u sekuestruan orendi shtëpiake, pajisje elektronike, vegla të ndryshme pune, materiale të vjedhura nëpër kisha, armë të ftohta dhe municion luftarak.
Dy grabitësit njihen nga policia si kontigjentë dhe persona problematike. Akitiviteti i tyre ka nisur disa vite më parë kur në bashkëpunim, grabitën dhe dhunuan një turist gjerman, më pas ata janë arrestuar sërish për grabitje, ndërsa Mentor Bejko edhe për tentativë vrasje. Me gjithë këto precedentë, ata kanë mundur të fitojnë shpejt lirinë, duke u kthyer në tmerrin e grabitjeve gjatë vitit 2010 e fillimit të vitit 2011. Kësaj rradhe ndaj tyre janë ngritur 5 akuza, "Vjedhje në bashkepunim", "Mosbindje e urdhërit të policisë", "Kundërshtim i punonjësit të policisë", "Mbajtje pa leje të armëve të ftohta" dhe "Mbatje pa leje të municionit luftarak".