Policia e Shtetit: “Deklaratat për qarkullim në treg të monedhave false, spekulime politike”
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka reaguar sot nisur nga disa shkrime në shtypin e shkruar dhe elektronik, sipas të cilave në Shqipëri janë hedhur një sasi e madhe eurosh dhe dollarësh te falsifikuar, të cilat mund të përdoren në fushatën elektorale në zgjedhjet vendore, sqaron opinionin publik se, “Strukturat e Policisë së Shtetit nuk kanë konstatuar raste të denoncimeve të qytetarëve të cilët kanë rënë pre e këtyre kartëmonedhave te falsifikuara, qofshin ato në euro, dollarë apo lekë. Gjithashtu nuk ka pasur njoftime as nga bankat për konstatime të rasteve të tilla”, thuhet në deklaratën për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndërsa thekson se lufta kundër falsifikimit të monedhave është dhe mbetet një nga sfidat e mëdha të Policisë. “Fenomeni i luftës kundër falsifikimit të monedhave dhe vënies së tyre në qarkullim ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së punës së policisë. Në mënyrë të vazhdueshme janë bërë përpjekje serioze për të goditur këtë fenomen duke bërë të mundur sekuestrimin e këtyre kartëmonedhave para hedhjes në qarkullim si dhe të kapjes së tyre në rastet kur ato janë hedhur në qarkullim”, vijon njoftimi i Policisë.
Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, fton të gjithë qytetarët shqiptarë dhe institucionet operuese që të denoncojnë në çdo rast konstatimin e monedhave të falsifikuara. “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit fton të gjithë qytetarët, si dhe institucionet e ndryshme që operojnë me monedhat në vend, që të denoncojnë në Policinë e Shtetit çdo rast të falsifikimit që ata konstatojnë, ndërkohë që strukturat e Policisë së Shtetit garantojnë qytetarët shqiptarë, se do të vijojnë punën me të njëjtin intensitet për parandalimin e rasteve të tilla”, përfundon njoftimi për shtyp i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Reagimi i Policisë së Shtetit vjen pas deklaratave politike të përfaqësuesve të Partisë Socialiste, të cilët kanë akuzuar pa prova dhe fakte se në treg qarkullojnë kartëmonedha të falsifikuara, në euro, dollarë dhe lekë.
Për sa kohë s’ka asnjë denoncim nga qytetarët dhe institucionet operuese të kapitaleve monetare, pretendimet e opozitës bien poshtë si deklarata të qëllimshme, tendencioze, të cilat thjesht e vetëm vijnë në kuadrin e një fushate trillimesh dhe shpifjesh të Partisë Socialiste dhe opozitës në tërësi.