E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kërkon ligj për mbrojtjen e investimeve të huaja



Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që të hartojë një ligj që të marrë në mbrojtje investimet e huaja. Kryeministri tha se qytetarët, pasi marrin vesh që një kompani e caktuar do të investojë shuma të mëdha hapin procese gjyqësore për pronësinë e truallit. Sipas Berishës, kjo dëmton interesat e publikut pasi të tilla procese gjyqësore largojnë investitorët e huaj. Për këtë arsye kryeministri kërkoi që shteti të marrë përgjegjësitë për shpronësimet dhe të dëmshpërblejë pronarët në mënyrë që t’u hapet rruga investitorëve të vazhdojnë projektet e tyre në Shqipëri.
Qëndrimi
“Hartimi këtij vendimi përbën një zhvillim të ri, substancial, për të garantuar të gjithë stabilitetin e nevojshëm të investitorëve. Pretendime nga më absurdet viktimizojnë në raste të caktuara investitorët. Njerëz që nuk kanë pasur asnjë pretendim pronësor, për toka apo parcela të caktuara, sapo marrin vesh se një investitor nis të investojë, ngërthen në veprime mafioze, hapin padi vetëm e vetëm që ta gjobisin, kërkojnë 50 mijë euro që të ndërpresin procesin. Këta njerëz duhet të merren me shtetin. T’ia kërkojnë këtë shtetit”, - është shprehur Berisha. Ai theksoi se shteti do të dëmshpërblejë të gjithë pretenduesit e ndershëm, deri në qindarkën e fundit, por aty ku konstatohen shkelje dhe abuzime, ata do të marrin përgjigjen e merituar nga ligji. “Nëse kanë të drejtë shteti do t’u përgjigjet në çdo qindarkë, por nëse hyjnë në procese të pandershme, do të marrin atë që meritojnë. Është bërë e papranueshme. Jepet leja minerare dhe çdonjëri mendon se ka një minierë private. Pasuritë minerare janë pasuri publike, ujërat janë pasuri publike”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit. Kryeministri kërkoi nga Ministria përkatëse që nëpërmjet ligjit të garantohet ushtrimi i autoritetit shtetëror, pas çdo lejeje të dhënë, si dhe zbatimin e rregullave më të ndershme të shpronësimit. “Dikush vërtet mund të hapë një minierë në një pronë të dikujt, por ajo pronë duhet të shpronësohet, mbi bazën e rregullave që kemi, me çmimet që ekzistojnë në atë zonë, për pjesën e sipërfaqes që i bllokohet. Nëntoka është e publikut, ujërat janë të publikut. Prona private është deri në themelin e shtëpisë, më tutje është e shtetit dhe e Zotit, është e publikut. Kur e kanë blerë, e kanë blerë sipërfaqe për metër katror, kur tatohet, tatohet për sipërfaqe në metër katror. Mos të shpiken kode që nuk ekzistojnë”, - tha kryeministri Berisha. Ai e cilësoi mjaft të rëndësishëm ligjin për mbrojtjen e investimeve të huaja në Shqipëri. “Ky ligj është jashtëzakonisht i rëndësishëm, është përgatitur me ekspertizën më të mirë. Këtë ligj e mirëpret tregu, ndaj dhe unë dua t’i përgëzoj të gjithë ata që kanë punuar dhe studiot private që kanë kontribuuar në përgatitjet e tij legale, edhe zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët e kanë udhëhequr këtë proces, por mendoj se ky është një ligj shumë i domosdoshëm”, - përfundoi fjalën e tij kreu i qeverisë.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›