E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat e reja për tërheqjen e pagave nga nëpunësit e administratës qendrore

Qeveria përcakton procedurën e kryerjes së pagesave mujore

Eljona Ballhysa
Qeveria miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vendimin për përcaktimin e rregullave të reja për kryerjen e pagesave mujore për nëpunësit e administratës qendrore. Në bazë të këtij vendimi, të gjitha institucionet shtetërore kanë përgjegjësinë e kalimit të pagesave në bankat e nivelit të dytë të licencuara nga Banka e Shqipërisë për nëpunësit e tyre. Këto institucione, në bashkëpunim me nëpunësit e administratës së tyre, duhet të plotësojnë një formular në të cilin jepen gjeneralitetet e nëpunësve që do të tërheqin pagesën mujore. Është në dëshirën e nëpunësve të zgjedhin bankën se ku do t’i tërheqin paratë çdo muaj. Kjo përcaktohet në formular dhe më pas ky formular i kalon zyrës së financës që merret me përgatitjen e pagave dhe kjo kontakton me bankat e niveli të dytë të përzgjedhura nga personeli i administratës.
Procedurat
Në përputhje me Kodin e Punës dhe me ligjin për statusin e nëpunësit civil, qeveria miratoi dje vendimin për “Përcaktimin e përgjegjësive të institucioneve të qeverisjes qendrore, për procedurat e kryerjes së pagesës së nëpunësve/punonjësve të secilit institucion”. Në bazë të këtij vendimi, “çdo institucion i qeverisjes qendrore është përgjegjës për kalimin e pagës në njërën nga bankat e nivelit të dytë, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, përzgjedhur nga secili nëpunës/punonjës i institucionit, pavarësisht rregullimit të marrëdhënieve të punës me Ligjin Nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, apo me Ligjin Nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
Referenca e nëpunësit/punonjësit për përzgjedhjen e bankës jepet pas plotësimit të një formulari standard, të përgatitur dhe të vënë në dispozicion nga strukturat e personelit, brenda çdo institucioni”, - shkruhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Formulari duhet të përmbajë të paktën të dhëna për gjenealitetet e nëpunësit/punonjësit; emrin e bankës dhe llogarinë bankare, në rast se ekziston një e tillë; nënshkrimin dhe datën e plotësimit të formularit. Nëpunësi, në bazë të vendimit, mund të përzgjedhë si bankë të preferuar, bankën ku mund të ketë një llogari të hapur bankare ose një bankë tjetër. Në çdo rast, të dhënat për numrin e llogarisë bankare ekzistuese duhet të bëhen të qarta në formularin e plotësuar. Formularët i dërgohen zyrës së financës, përgjegjëse për përgatitjen e pagave. Përgatitja e formularit për shoqëritë tregtare me kapital shtetëror bëhet nga institucionet prej të cilave ato varen. Strukturat e përcaktuara në këtë vendim përgatisin formularin përkatës për përzgjedhjen e bankës, brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Ngarkohen ministrat, që kanë në varësi shoqëri tregtare, të nxjerrin urdhrat përkatës në zbatim të këtij vendimi.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›