E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vitamina A pakëson vdekshmërinë foshnjore

Studimi

Foshnjat kanë nevojë për vitaminën A, që i ndihmon ato të mbrohen nga sëmundjet infektive. Kur lindin, foshnjat kanë në organizëm një rezervë të vitaminës A, e cila është e mjaftueshme për një periudhë të shkurtër kohe, derisa ato fillojnë të ushqehen me qumështin e gjirit. Por nëse nëna nuk është e ushqyer siç duhet, qumështi që ajo prodhon, mund të mos përmbajë një sasi të mjaftueshme vitamine A dhe si rezultat, foshnja e ka tepër të vështirë mbijetesën. Kjo ndodh tek një numër vendesh në zhvillim, ku ritmi i vdekjeve për të porsalindurit është veçanërisht i lartë. Në vazhdim, ju njohim me një studim të kohëve të fundit, i cili tregon se dhënia siç duhet e vitaminës A menjëherë pas lindjes, mund të pakësojë ndjeshëm shanset e vdekjes tek foshnjat. Në Bangladesh ka rreth 16 mijë foshnja nga zonat rurale të vendit, që u përfshinë në një studim mbi efektshmërinë e vitaminës A, kur ajo jepet menjëherë pas lindjes. Gjysmës së foshnjave iu dha një kapsulë vitamine A dhe gjysmës tjetër një kapsulë placebo, apo me sheqer. Studiuesit në Shkollën e Shëndetit Publik, pranë Universitetit Xhon Hopkins në Baltimorë të Merilendit zbuluan se një dozë e vetme e vitaminës A luante një rol të madh tek mbijetesa e këtyre foshnjave. Rolf Klem ishte një nga drejtuesit e studimit. "Ne zbuluam se mund të pakësohet me 15 për qind rreziku i vdekjes, kur foshnjat janë 6-muajshe. Kjo do të thotë se vetëm në Bangladesh, rreth çdo vit parandalohen 20 mijë vdekje të foshnjave", - tha ai. Zoti Klem vlerëson se nëse vitamina A do të ishte shpërndarë në masë tek të gjitha foshnjat në Azinë Jugore, rreth gjysmë prej tyre do të kishin mbijetuar. Në të kaluarën, janë zhvilluar edhe studime të tjera në Azinë Jugore, lidhur me përfitimet e vitaminës A. Në Nepal, kapsula me vitaminë A ju dha foshnjave më të rritura, si dhe fëmijëve deri në moshën 5 vjeçare, në kuadrin e një programi në shkallë kombëtare, të financuar nga Kombet e Bashkuara. Studimi i Universitetit Xhon Hopkins thekson të mirat që ka dhënia e vitaminës A deri në 7 orë pas lindjes së fëmijës. Si rezultat, ka plane për ta shtuar dhënien e vitaminës A tek të gjitha foshnjat e porsalindura në Nepal dhe në Bangladesh. Por, vendet e Azisë Jugore nuk janë të vetmet vende të botës në zhvillim që kanë një ritëm të lartë të vdekshmërisë së fëmijëve. Rolf Klem thotë se duhen bërë më tepër kërkime në Afrikë, sidomos në rajonet e prekura nga malaria. "Studime të tjera kanë treguar se vitamina A mund të pakësojë gjithashtu rastet e sëmundjeve infektive, temperaturat tepër të larta e simptoma të tjera që shoqërojnë malarien dhe që rrjedhimisht, i mbron foshnjat në Afrikë nga një shkak tepër të rëndësishëm i vdekjes". Zoti Klem thotë se nuk janë mundësitë të jepen doza të përsëritura të vitaminës A, përderisa një numër i madh foshnjash në vendet të varfra, lindin në shtëpi. “Dhënia e një doze të vitaminës A në orët e para pas lindjes së foshnjës është tepër e vështirë të realizohet, - shton ai, - edhe pse atje ka gjithmonë një ekip mamish, apo grash të fshatit”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›