E Diel, 1 Nëntor 2026

Tremujori, "fluturojnë" 334 milionë euro

Deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë u përkeqësua më tej gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ndërkohë që hyrje-daljet valutore janë më të pakta se një vit më parë, njoftoi dje Banka e Shqipërisë në raportin mbi Zhvillimet në Sektorin e Jashtëm të Ekonomisë.

"Tremujori i parë i vitit u mbyll me një deficit të llogarisë korrente prej 334 milionë eurosh. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2008, deficiti korrent regjistroi një rritje prej rreth 67 milionë eurosh, nga 267 milionë euro", thotë BSH në raport. Deficiti është rritur me 20 për qind gjatë kësaj periudhe.

Llogaria korrente tregon hyrjet dhe daljet e valutës në Shqipëri, qoftë për mallra, qoftë për shërbime. Deficiti tregon mungesë të valutës në treg duke krijuar presion zhvlerësues për lekun.

Tregtia e mallrave dha një efekt pozitiv në tremujorin e parë për shkak të zvogëlimit të dukshëm si të importeve, ashtu edhe të eksporteve, por mungesa e turizmit, solli deficit më të lartë në bilancin e industrisë së shërbimeve, sipas Bankës Qendrore.

Të ardhurat nga emigrantët kanë rënë me 26 milionë euro ose me 10 për qind gjatë tremujorit të parë, sipas të dhënave. Emigrantët sollën 211.2 milionë euro dhe të ardhurat nga to kanë rënë vazhdimisht që nga tremujori i parë i vitit 2008. Rënia e të ardhurave nga remitancat rikthen nën nivelin e varfërisë një numër të madh familjesh, sipas një studimi të Bankës Botërore, gjë që mund ta kthejë Shqipërinë shumë vite prapa në drejtim të luftës kundër varfërisë. Emigrantët janë dëmtuar shumë gjatë muajve të fundit si pasojë e krizës botërore. Shumë prej tyre kanë humbur vendet e punës ose kanë punë vetëm për pak ditë në muaj.

Volumi i përgjithshëm i llogarisë korrente ra me 7 për qind, gjë që tregon varfërim të përgjithshëm të vendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›