Dokle: “Hetim zgjedhjeve me hapjen e kutive”
TIRANË – Menjëherë pas draft-rezolutës së raporterëve të Strasburgut, Partia Socialiste në opozitë është shprehur e gatshme të nisë dialogun me institucionet në vend dhe me ndërkombëtarët për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputeti socialist, Namik Dokle, u shpreh dje se dialogu për transparencën e procesit është konsideruar i domosdoshëm në çdo kohë nga opozita, për t’i dhënë zgjidhje krizës politike që ka pllakosur vendin. Opozita ka përqafuar sugjerimet e Këshillit të Europës për hetimin e zgjedhjeve, për të hyrë në dialog me maxhorancën, ku të ngrihet një komision i posaçëm parlamentar. Kreu i partisë më të madhe të opozitës, Edi Rama, ka bërë të ditur faktin se nëse nuk do të bëhet i mundur dialogu për hapjen e kutive, protestat popullore do të vazhdojnë në të gjithë vendin. Sipas ndërkombëtarëve, dialogu mes palëve është e vetmja mënyrë për ta nxjerrë vendin nga kriza që ka mbërthyer politikën shqiptare pas bojkotit të PS-së menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.
Deklarata
Duke kundërshtuar aludimet e Partisë Demokratike se do të ketë hetim të zgjedhjeve pa hapjen e kutive, deputeti socialist Namik Dokle ka theksuar dje në një komunikim me mediat se transparenca e tyre është e pamundur të kryhet, duke mos pasur si objekt hapjen e tyre. “Kërkesa e vazhdueshme e Partisë Socialiste për të hetuar zgjedhjet përmes një komisioni hetimor parlamentar, që ka për objekt hapjen e kutive, si të vetmen mënyrë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, është bërë tashmë sugjerim i qartë edhe i faktorit ndërkombëtar për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza politike, për t’u hapur rrugë reformave integruese nëpërmjet dialogut serioz mes institucioneve të vendit dhe me ato ndërkombëtare”, - u shpreh Dokle. Sipas deputetit Dokle, maxhoranca po kërkon të shkelë ligjin në interes të saj, duke ia mohuar të drejtën opozitën për hapjen e kutive, me qëllim zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit. Ai theksoi se shqiptarët dhe ndërkombëtarët duhet të njihen me të vërtetën, dhe kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza politike. “Nuk mund të flitet për shumicë të opozitës në komisionin hetimor, kur kësaj shumice i mohohet apriori kërkesa për hapjen e kutive! Sipas kësaj logjike absurde, do të thotë zbatoni ligjin jo ashtu siç është, por ashtu siç dua ta shkel unë, gjë që e ka bërë disa herë edhe shumica e qeverisë në KQZ! Ne përsërisim edhe njëherë qëndrimin e Partisë Socialiste dhe të Grupit të saj Parlamentar se nuk mund të ketë zgjidhje të krizës së rëndë parlamentare pa dialog serioz, se nuk mund të ketë dialog real pa hetimin e plotë të zgjedhjeve dhe nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa hapjen e kutive ku të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët të shohin me transparencë të plotë të vërtetën e 28 qershorit”, - u shpreh Dokle.
Transparenca
Partia Socialiste, hapjen e kutive për zbardhjen e të vërtetës së “krimit elektoral të 28 qershorit”, siç ajo e vetëcilëson, e sheh si kushtin më kryesor dhe vendimtar. Deputeti Dokle nënvizon se me hapjen e kutive do të krahasohet regjistri zgjedhor që përmbajnë kutitë me regjistrin e Gjendjes Civile. Sipas tij, në regjistrin e votimit do të konstatohet se sa mijëra emigrantë rezultojnë sikur kanë votuar, ndërkohë që nuk kanë qenë në Shqipëri në datën 28 qershor. Me hapjen e kutive Dokle nënvizoi se do të marrë fund edhe shqetësimi i ndërkombëtarëve se në një të tretën e qendrave të votimit numërimi është bërë keq ose shumë keq. “Po çfarë hetimi të zgjedhjeve mund të bëhet pa hapjen e kutive dhe shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që ato përmbajnë? A mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa analizuar regjistrin zgjedhor që përmbajnë kutitë duke e krahasuar atë me regjistrin e Gjendjes Civile? Absolutisht jo. A mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa hapur kutitë që të analizohet se sa mijëra zgjedhës kanë votuar pa pasaportë e pa kartë identiteti, duke shkelur ligjin? Kurrsesi jo. A mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa hapur kutitë që të shikohet nga regjistri i votimit se sa mijëra emigrantë rezultojnë sikur kanë votuar, ndërkohë që nuk kanë qenë në Shqipëri në datën 28 qershor? E pamundur”, - u shpreh deputeti Dokle.
Partia e Gjelbër: Shqipëria nuk ka nevojë për central bërthamor
Partia e Gjelbër ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për realizimin e projektit të shumëpërfolur të centralit bërthamor, si dhe të ngritjes së agjencisë që do të merret me përgatitjen e programit bërthamor për Shqipërinë. “Shqipëria nuk ka nevojë për ndërtimin e një centrali bërthamor pasi ka burime të tjera alternative për prodhimin e energjisë”, - thuhet në deklaratën e kësaj partie. Sipas saj, kjo politikë i ka dhënë të gjitha provat që nuk mund të menaxhojë situata të vështira dhe katastrofa. “Mjafton të kujtosh tragjedinë në Gërdec, dhe jo më të bëhet fjalë për të përballuar një incident bërthamor në një central të kësaj natyre, i cili do të shkaktonte dëme të pallogaritshme jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Ballkanin e më gjerë”, -shtohet më tej. Më pas, drejtuesit e Partisë së Gjelbër kanë deklaruar se “politika jonë ka 20 vjet që sillet keq me mjedisin dhe se ajo jo vetëm që nuk ka marrë masa për zvogëlimin e krizës ekologjike që po kalojmë, por e ka thelluar atë me neglizhencën që ka treguar gjatë këtyre viteve në zbatimin dhe përmirësimin e legjislacionit mjedisor. Të mos e thellojmë më tej këtë krizë duke depozituar mbetjet bërthamore në vendin tonë. Nëse politika vendos për ndërtimin e një centrali bërthamor, ne Të Gjelbrit do t’i drejtohemi iniciativës për mbajtjen e një referendumi mbarëkombëtar për ta ndaluar atë. Ne, si të Gjelbër, i themi jo kësaj nisme, pasi është më mirë që t’u trashëgojmë fëmijëve tanë panele diellore dhe jo mbetjet bërthamore që lënë pas këto centrale”, - përfundon deklarata.
G99, Kojdheli: “Qeveria të kthejë sytë nga problemet e vendit, jo në çështje periferike”
Përfaqësuesi i G99-s, Genci Kojdheli, deklaroi dje se qeveria po tenton të kufizojë mandatin e drejtuesve të Shërbimit Informativ Kombëtar. “Sot, në momentin kur vendi sapo ka kaluar një katastrofë me përmasa e pasoja tepër të rënda, kur qeveria duhet të jetë në krye të detyrës për të normalizuar gjendjen e banorëve në zonat e përmbytura dhe për të mundësuar kompensimin e plotë të dëmeve, kjo maxhorancë edhe një herë devijon vëmendjen e opinionit publik, duke u marrë me një çështje sa periferike, aq edhe problematike, siç është mandati dhe kompetencat e Shërbimit Informativ të Shtetit”, - u shpreh Kojdheli. Ai i ka kërkuar qeverisë që të kthejë sytë nga problemet e mprehta të vendit, nga zonat e përmbytura, nga varfëria e tejskajshme, kriza ekonomike, e reforma e pronës dhe të mos prekë e tentojë të uzurpojë institucionet kushtetuese, ashtu si nuk ka hezituar të bëjë në të shkuarën. “Duam të theksojmë se tentativat e kësaj qeverie për të kontrolluar SHISH-in kanë nisur që në mandatin e kaluar, me përpjekjen për ta kaluar SHISH-in nën hyqmin e Ministrisë së Brendshme. Nuk do të shqetësoheshim aspak për këtë ripërkufizim të mandatit dhe kompetencave të SHISH-it sikur iniciativa të mos vinte nga maxhoranca e drejtuar prej z. Berisha. Të gjithë e mbajnë mend kohën kur Shërbimi Informativ ishte vetëm një vegël në duart e presidentit të asokohe dhe shërbente si një institucion dhune, frikësimi e represioni”, - tha Kojdheli.
22 Janar 2010