Përkujtohen në plehra 5 heronjtë e Vigut
SHKODËR - Për herë të parë që nga vendosja e tyre, 21 gushti i vitit 1944, përvjetori i Heronjve të Vigut nuk është përkujtuar në qendër të qytetit të Shkodrës, por në periferi, në varrezat e Dëshmorëve të cilat prej vitesh janë kthyer në vendgrumbullim të mbeturinave. Faktikisht vetëm shoqata e Veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare ka ndërmarrë një hap të tillë në përkujtim të 5 Heronjve të Vigut. Anëtarë të shoqatës gjatë këtij takimi dhe vënies së kurorave me lule pranë monumentit kanë theksuar se 5 Heronjtë e Vigut ishin nderi i luftës nacional çlirimtare. Ata janë shprehur se "pushteti lokal i ka gënjyer rëndë kur ka premtuar shndërrimin e sheshit ku janë të vendosur 5 Heronjtë e Vigut".
Ndërkohë e pranishme në ritualin e përvitshëm ka qenë dhe motra e heroit të popullit Naim Gjylbegu, Drita Gjylbegu, e cila e ka cilësuar një paturpësi nga ana e përfaqësuesve të pushtetit lokal vendosjen e monumentit pranë varrezave të Dëshmorëve, vend ky i cili rënkon prej vitesh nga grumbullimi i mbeturinave urbane në Shkodër. Në fjalën e saj Gjylbegu theksoi se "kjo që po i bëjnë monumentit është një vrasje e dytë". Heronjtë e Vigut janë një nga simbolet e Shkodrës. Ata janë zhdukur nga qendra e qytetit për të kaluar përfundimisht në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve. Kjo gjë u vendos nga Këshilli Bashkiak më 25 shtator 2008 dhe në shkurt të këtij viti mori formë të prerë. Monument i "5 heronjve të Vigut" ishte vendosur 26 vjet më parë në qendër të qytetit të Shkodrës duke shërbyer dhe si pikë orientimi për qytetarët. Ai është vepër e derdhur në bronz e skulptorit të popullit Shaban Hadëri.