Policia e kryeqytetit arreston Nezir Mallikun, autor i dyshuar për vrasjen e Arben Gogës
Një sherr për shtyrjet e pasagjerëve në autobusët e linjave të Tiranës ka përfunduar me një person të vdekur. Një 37-vjeçar është goditur me thikë në afërsi të lagjes “21 Dhjetori”, rreth orës 18:00 të ditës së djeshme. Policia deklaroi se viktima, Arben Goga, kishte pasur një zënkë në autobusin e linjës Ndroq-Tiranë, me 42-vjeçarin Nezir Malliku, për shtyrjet mes pasagjerëve.
Autori është arrestuar rreth një orë më vonë nga policia. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja është njoftuar nga drejtuesi i autobusit dhe menjëherë në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet e Komisariatit Nr.2. Pikërisht te “21 Dhjetori” ishte ndaluar autobusi i linjës Ndroq-Tiranë, i cili ishte i mbushur me pasagjerë. Aty gjendej i gjakosur, pasi ishte goditur disa herë me thikë, edhe 37-vjeçari. Ai është nisur menjëherë në spital, por ka ndërruar jetë rrugës. Nga ana tjetër, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe oficerët e Antikrimit Kundër Personit, të cilët kanë nisur punën për dokumentimin e vrasjes.
Fillimisht janë marrë dëshmi nga pasagjerët e autobusit, të cilët kanë deklaruar se duke qenë se ka pasur shumë persona në autobus, njerëzit kanë filluar të shtyhen. Në atë kohë, mes viktimës dhe një personi tjetër ka nisur një debat i ashpër. Pa zgjatur shumë debati, njëri nga debutuesit ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur disa herë kundërshtarin, i cili është shtrirë në autobus i gjakosur. Të gjithë janë tmerruar nga kjo skenë, ndërkohë që drejtuesi ka ndaluar mjetin, kurse autori ka mundur të largohet. Pasi policia ka mbledhur dëshmitë e para, ka mundur të identifikojë autorin e ngjarjes, Nezir Malliku, dhe menjëherë ka nisur puna për kapjen e tij. Fillimisht janë ngritur postblloqe në të gjitha pikat kryesore të kryeqytetit, ku kanë vazhduar kontrollet për të dyshuarin. Por ai kishte mundur të arrinte në kodrat e Ndroqit.
Ky informacion është marrë nga policia rreth gjysmë ore pas ngjarjes dhe forcat e kërkimit janë shtrirë në këtë terren për kapjen e tij. Sipas të dhënave hetimore, rreth një orë e gjysmë më vonë është mundësuar gjetja dhe arrestimi i tij. Megjithatë, policia nuk ka mundur të gjejë armën e krimit dhe deri në orët e vona të natës autori i dyshuar nuk e ka pranuar krimin e kryer në gjaknxehtësi gjatë sherrit në autobus.