E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria gjen mbetjet në afërsi të shtëpisë së të ndjerit Qemal Deliu

Zbulohet saldatriçja, e cila mendohet se është bërë shkak për shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Në seancën e djeshme të procesit në Gjykatën e Tiranës ndaj 28 të pandehurve, grupi i prokurorëve, i kryesuar nga Altin Dumani, ka vënë në dijeni gjykatën për gjetjen pranë shtëpisë së familjes së Qemal Deliut, të mbeturinave të saldatriçes.
“Në datën 8 janar, në prokurori ka mbërritur një shkresë nga komandanti i forcave të ushtrisë, që kanë marrë në dorëzim vendngjarjen e Gërdecit. Ushtaraku Klodian Tanushi na ka vënë në dijeni për gjetjen e disa mbeturinave të një saldatriçeje, që është gjetur në shtëpinë e të ndjerit Qemal Deliu, i cili punonte në fabrikën e demontimit”, ka deklaruar prokurori Dumani, duke i kërkuar trupit gjykues që të vendosë për ta marrë si provë. “Në kushtet kur çështja është në gjykim, organi i procedurës penale e ka të pamundur marrjen e provave. I takon gjykatës të vendosë nëse kjo provë do të merret në procesin gjyqësor”, deklaroi dje prokurori Altin Dumani.
Sipas dëshmive të punëtorëve të fabrikës, kjo pajisje saldonte karrocat që prisheshin. Sipas prokurorit, objekti është gjetur nga ushtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët që prej 15 marsit të vitit 2008, kur ndodhi shpërthimi tragjik, ndodhen në Gërdec për të kryer dekontaminimin e zonës. Duke qenë se aktualisht çështja është dërguar në gjyq dhe prokuroria është palë, atëherë kjo e fundit i është drejtuar gjykatës për ta këqyrur objektin dhe për ta marrë atë si provë.
Dëshmitë
Dëshmitarë të radhës kanë qenë punonjës të fabrikës që kanë treguar se në punishte zjarret ishin të shpeshta, ndërsa ato fikeshin me kova nga vetë punëtorët. Egnon Deti ka deklaruar se ka punuar nga data 13 qershor e vitit 2007, deri në 6 dhjetor të po këtij viti.
Ai tha se ka takuar drejtorin e fabrikës, Dritan Minxolli, të cilit i kërkoi punë. Nuk ka nënshkruar ndonjë dokument ose kontratë pune dhe rroga merrej sipas normës, ndërsa për paketimin e fishekëve ka pasur një pagë fikse, e cila ishte 10 mijë lekë të reja. “Vetëm ditën e parë të punës na është shpjeguar nga Dritan Minxolli procesi i punës që do të kryenim, por nuk na janë treguar rregullat. E vetmja gjë që na thoshin ishte të bënim kujdes me zjarret. I vetmi dokument që kam nënshkruar ka qenë një fletë e bardhë formati, e cila duhej për të marrë rrogën. Te koka e letrës ka pasur tre rreshta të shkruar, por nuk u interesova që të lexoja përmbajtjen e tyre”, ka deklaruar Egnoni.
Ai tha se në fabrikë ka pasur raste të shpeshta të rënies së zjarrit, sidomos te makineritë e demontimit të fishekëve të kalibrit 12.07 dhe 14.5. “Në fabrikë punonte mamaja, motra ime dhe kushërira. Ato ishin te sektori i hapjes së arkave dhe nxjerrjes së barutit. Puna ime konsistonte në nxjerrjen e barutit nga kova, paketimin e tij në qese, peshimin e tij dhe më pas e vendosja në një kuti kartoni. Në fund ajo transportohej për në magazinë”, tha i mituri, i cili shtoi se ditën e ngjarjes ishte në shtëpi, e cila është afër fabrikës. Ai tha se nga shpërthimi në Gërdec ka humbur jetën motra, e cila ishte 19 vjeçe.
Të miturit
Po dje në gjykatë ka dëshmuar edhe shtetasi Lulzim Murati. Ai tha se nga shtëpia e tij ka punuar vetëm ai, ndërsa i kërkoi punë personalisht Dritan Minxollit. “Ai më pranoi. Dritan Minxolli më ka kërkuar një certifikatë, pasi unë atëherë isha vetëm 14 vjeç. Unë punoja në sektorin e paketimit të barutit, dhe isha turni i dytë, nga ora 15:00 e drekës deri në ora 23:00 të natës. Paga ishte 10 mijë lekë në ditë dhe nuk ishte me normë por fikse”, tha Murati. Ai shtoi se baruti vinte nga makineritë dhe e merrte me kova dhe e paketonte më pas.
I mituri shtoi se Mihal Delijorgjin e njeh si emër dhe e ka parë në fabrikë. “Delijorgji vinte kur unë isha turni i dytë dhe shikonte sesi punohej. Transporti i barutit në magazina bëhej me karroca dore, të cilat nuk dëmtoheshin. Ditën e ngjarjes isha në shtëpi, 300 metra larg fabrikës. Atë ditë kam dëgjuar vetëm zhurmë, por nuk kam parë zjarr. Pas shpërthimit të dytë u larguam të gjithë nga shtëpia. Nga shpërthimi i Gërdecit ngeli e plagosur vetëm vajza e djalit të xhaxhait, e cila theu dorën”, deklaroi Lulzim Murati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›