Policia e vendosur për ta ndalë kontrabandën e druve

Njësitet policore të Stacionit Policor në Ferizaj, në kuadër të aksionit për pengimin e transportimit ilegal të masës drusore, gjatë këtij vikendi kanë konfiskuar një sasi të konsiderueshme të druve që po transportoheshin me kamionë dhe traktorë.
Burime policore kanë bërë të ditur se në afërsi të fshatrave Jezerc dhe Nerodime e Epërme, te vendi i quajtur “Bashkimi i Lumenjve” , njësitet patrulluese gjatë operacionit kanë ndaluar dhe konfiskuar 6 traktorë dhe 3 kamionë, të cilët po bënin transportimin e lëndës drunore.
Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi theksoi se sasia e druve të konfiskuara ende nuk është vlerësuar nga zyrtarët e Agjencionit të Pyjeve, ndërsa bëhet fjalë për një sasi të madhe të drurëve për djegie.
“Janë informuar Inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencioni Pyjor i Kosovës, të cilët do të vazhdojnë procedurat ligjore lidhur me këtë rast”, ka thënë zëdhënësi Gashi.
Ndryshe, përmes këtyre aksioneve synohet të pengohet prerja ilegale e pyjeve, e cila në këtë anë është mjaftë e theksuar. Autoritet e pylltarisë në Ferizaj, shumë herë kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun e dëmtimit të pyjeve nga personat e pandërgjegjshëm, ndërsa numri i vogël i punëtorëve dhe kushtet jo adekuate për punë kanë bërë që të mungoj një menaxhim më efikas.