Policia, ekipe të posaçme në terren për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor
Policë të trajnuar për shërbime në procese zgjedhore do të angazhojë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit për të garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore, që do të zhvillohen sot në disa njësi.
Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në Policinë e Shtetit, Laura Totraku, konfirmon se të gjithë punonjësit e policisë që do të jenë të angazhuar për zgjedhjet e së dielës, janë trajnuar më parë për rolin e tyre në proces për të garantuar zbatimin e ligjit. Drejtoritë e Policive në 7 nga 12 qarqet e vendit ku do të ketë votime kanë marrë tashmë një udhëzim të Drejtorit të Përgjithshëm Burgaj, për të garantuar transportimin e materialeve të votimit si dhe sigurinë e procesit gjatë ditës së sotme.
Që prej ditës së djeshme, punonjësit e policisë të caktuar në këtë detyrë kanë marrë në ruajtje vendet e numërimit dhe materialet zgjedhore deri në orët e para të ditës së sotme, kur komisionet e qendrave të votimit do të mbërrijnë aty, për të përgatitur çeljen e procesit të votimit.
Janë rreth 102 objekte që janë marrë në ruajtje nga policia e shtetit, prej të cilëve 88 janë Qendra Votimi. Roli dhe qëndrimi i policisë ka marrë vlerësime të kënaqshëm jo vetëm nga subjektet politike, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që monitoruan zgjedhjet lokale të 8 Majit.
Elbasan, Policia merr masa
për mbarëvajtjen e zgjedhjeve
Policia e Elbasanit ka marrë të gjitha masat organizative për zgjedhjet përsëritëse në dy njësi vendore në qarkun e Elbasanit, të cilat do të mbahen të dielën.
Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Policisë Valbona Begu tha se, “në komunën Papër të rrethit të Elbasanit dhe Pishaj të rrethit të Gramshit janë vendosur 34 qendra votimi për të dy komunat, ndërsa policia ka marrë të gjitha masat që nga nisja e procesit me marrjen e materialeve zgjedhore të shtunën në mëngjes, për vazhdimin e procesit të dielën dhe deri në përfundim të tij”.
Sipas saj, policia do të garantojë rendin dhe sigurinë publike, për ruajtjen e objekteve zgjedhore, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas përfundimit të votimit.
Si pasojë e një defekti në shtypjen e fletëve të votimit, ku emrat e subjekteve nuk korrespondonin me partitë politike, procesi i votimit në këto dy komuna nuk u krye në datën 8 maj dhe u shty me një vendim të KQZ-së, për në datën 31 korrik.
Në komunën Papër zgjedhjet përsëriten vetëm për kandidatët për kryetar komune, ndërsa në Pishaj të Gramshit, zgjedhjet zhvillohen për kreun e komunës dhe për këshillin komunal. Mësohet se deri më tani nuk vërehet asnjë parregullsi nga ndarja e materialeve zgjedhore.