E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultati brenda pak orësh pas mbylljes së Qendrave të Votimit

31-07-2011 / Gazeta 55

Sot votimi në 10 komuna


Sot mbahen zgjedhjet vendore në 10 komuna, në të cilat do të votojnë 36 mijë zgjedhës në 102 qendra votimi, për kryetar komuna dhe këshill komunal. Zgjedhjet e pjesshme vendore zhvillohen në komunat si Shllak, Shalë, Komuna Qendër-Skrapar, Armen, Pishaj, Mollas, Paper, Zall-Dardhë, Kolsh, Finiq. Në komunat Shllak, Pishaj dhe Mollas nuk u zhvilluan zgjedhjet më datë 8 maj, ndërsa në shtatë njësitë e tjetra vendore u vërejtën parregullsi dhe për rrjedhojë KQZ dhe Kolegji Zgjedhor vendosën ri-përsëritjen e garës elektorale. Gjatë këtyre ditëve është vënë re një mungesë e mirëfilltë e fushatës elektorale të drejtuesve të partive politike, ndërsa me elektoratin e këtyre komunave kanë punuar vetëm deputetët e zonave. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, lëshoi dje apelin e radhës ndaj forcave politike, për të respektuar Kodin Zgjedhor. Olli garanton gjithashtu se janë marrë të gjitha masat për një proces të rregullt zgjedhor. “Edhe pse kemi një shtrirje gjeografike nga veriu në jug të vendit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nisur tashmë jo vetëm nga eksperienca që ka krijuar, por edhe nga koncepti që është krijuar në raport me zhvillimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, gjithçka ka ecur dhe vijon të ecë normalisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë bazën materiale zgjedhore pranë të gjitha KZAZ-ve dhe nga ana e subjekteve politike, nuk kemi patur asnjë lloj shqetësimi në lidhje me KZAZ-të apo elementë të lidhur me komisionet e nivelit të tretë. Ajo çka ne kërkojmë dhe bëjmë apel në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve subjekteve politike, të kërkojnë nga komisionerët e tyre që të jenë prezent në të gjitha seancat e trajnimit të cilat ne i zhvillojmë në këtë periudhë si dhe të sjellin në kohë anëtarët e grupeve të numërimit, të cilët të kenë mundësi të trajnohen, pasi siç e keni vënë re në të gjitha rastet, problematika më të mëdha gjithnjë vijnë në procesin e numërimit të votave. Dhe në të shumtën e rasteve ajo që ne kemi konstatuar, por jo vetëm ne, edhe vëzhguesit ndërkombëtarë e vendorë, të gjitha problematikat vijnë si rezultat se anëtarët e grupeve të numërimit nuk janë njohës të mirë të procedurës dhe Kodit Zgjedhor në raport me detyrat që ata kanë”, u shpreh Olli. Zëdhënësi i institucionit përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve ka bërë me dije se duke përfshirë edhe kërkesat e mundshme ankimore, i gjithë procesi zgjedhor do mund të përfundojë rreth mesit të muajit gusht. Në këtë periudhë do të publikohen dhe rezultat përfundimtare të zgjedhjeve lokale. “Në përfundim edhe të rasteve sikundër ne kemi, të përsëritjes së zgjedhjeve dhe më pas përfgundimit të të gjitha procedurave ankimore, nga ana a KQZ-së bëhet menjëherë, brenda 72 orëve, shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Kjo është një procedurë e pastër teknike. Nuk ka patur dhe nuk do të ketë ndikim në ushtrimin e detyrës së të zgjedhurve vendorë apo të këshillave komunalë , apo bashkiakë, por është një procedurë e pastër teknike, pasi është pikërisht ky çast, ky koment dhe kjo datë, e cila më pas shërben si datë për të llogaritur më pas datën e zhvillimit të ardhshme vendore”, deklaroi zëdhënësi Olli. Në funksion të zhvillimit pa probleme të zgjedhjeve të 31 korrikut, prezenca e OSBE-së në Tiranë ka mbështetur KQZ-në me pajisje në fushën e komunikacionit. Zëdhënësi Leonard Olli ka vlerësuar dhe falënderuar në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prezencën e OSBE-së, për ndihmën e dhënë gjatë gjithë zgjedhjeve lokale.    Për shkak se janë vetëm dhjetë komuna, shpresohet që numërimi të mbyllet brenda orës 17.00 të së hënës. Nëse procesi i ditës së sotme zhvillohet pa probleme, brenda mesit të gushit mund të shpallet rezultati final i zgjedhjeve të 8 majit, ashtu siç edhe parashikon vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Dhe pse ende nuk ka një rezultat final të zgjedhjeve vendore të 8 majit, pothuaj të gjitha njësitë vendore, përjashto 10 komunat ku votohet sot, ka nisur funksionimi i këshillave si dhe drejtuesit e rinj kanë nisur detyrën.


Zgjedhjet e pjesshme vendore në komunat:


Shllak    (Qarku Shkodër)


Shalë     (Qarku Shkodër)


Komuna  Qendër-Skrapar (Qarku Berat)


Armen    (Qarku Vlorë)


Finiq      (Qarku Vlorë)


Pishaj     (Qarku Elbasan)


Paper      (Qarku Elbasan)


Mollas     (Qarku Korçë)


Zall-Dardhë  (Qarku Dibër)


Kolsh      (Qarku Lezhë)

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›