Dokle: Çmimet, rritje në ritme skandaloze
Në funksion të organizimit të protestës së 30 prillit, Partia Socialiste i është drejtuar të gjitha njësive administrative të vendit, ku ka artikuluar me forcë motivin e daljes së saj në rrugë. Pas Vlorës, Elbasanit, Mallakastrës dhe Beratit, dje ka qenë Kodër Kamza, stacioni i radhës ku si përfaqësues i opozitës ka qenë deputeti Namik Dokle. Jeta e përditshme, faturat e energjisë, papunësia dhe çmimet kanë qenë pjesë kryesore e fjalës së Dokles, i cili ka riprodhuar realitetin e vështirë shqiptar. “Për këtë janë mbledhur banorët sot këtu dhe për të gjitha problemet dhe hallet që ata kanë, qoftë punësimi, qoftë dritat dhe uji, qoftë rritja e çmimeve në mënyrë skandaloze, madje nuk u mjaftojnë vetëm rritja e çmimeve, por me faturat e energjisë elektrike po bëhet një batërdi për qytetarët e Laprakës, për qytetarët e Kamzës dhe për qytetarët e të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Dokle. Përtej retorikës politike, deputeti socialist ka prekur në fakt një problem shumë të ndjeshëm për xhepin e qytetarit shqiptar. Abuzimi në masë me faturat e energjisë elektrike është kthyer së fundmi në një sindromë të raporteve që pushteti ka vendosur me qytetarin shqiptar, ku arbitrariteti dhe imponimi janë ngritur në shkallë të legjitimitetit institucional. Faturimi i pajustifikuar i energjisë elektrike, paguesit më të rregullt të së cilës janë buxhetorët dhe pensionistët, rrezikon të nxisë një pakënaqësi që nuk mund të zbutet me asnjë masë publicitare të rritjes së rrogave apo pensioneve. Lidhur me këtë dukuri që është origjinale e qeverisë “Berisha”, Dokle është shërbyer me një rast konkret në Tiranë. “Unë njoh këtu në Laprakë një familje, që janë burrë dhe grua pensionistë dhe kanë vetëm një fëmijë, kanë instalime elektrike nga më modestet dhe për një muaj i shkon fatura 900 mijë lekë të vjetra”, tha Dokle.
#