Sot ceremonia e inaugurimit të Nishanit me 21 të shtëna topi. Ja vendimi i qeverisë që shmangu Topin
Vetëm pak orë para se të zhvillohet ceremonia për kalimin e presidencës nga Bamir Topi tek Bujar Nishani, zbardhet vendimi i Këshillit të Ministrave që ndryshoi ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë, për të shmangur presidentin në ikje Bamir Topi. Mësohet se ndryshimet, që nuk janë publikuar në faqen zyrtare të Këshillit te Ministrave janë realizuar ne 11 korrik dhe ndërhyrjet kanë prekur vetëm 3 momente, raporton Vizion Plus. Së pari është ndryshuar vendi ku zhvillohet ceremonia dhe togfjalëshi Pallat i Brigadave është zëvendësuar me institucioni i Presidentit te Republikës. Ndërhyrjet e tjera janë bërë për të shmangur Bamir Topin. Kështu, nga ceremoniali zyrtar i Republikës së Shqipërisë është hequr i tërë paragrafi qe parashikon fjalën e ish-presidentit Topi dhe momentin e dorëzimit të Kushtetutës. Falë këtyre ndryshimeve nuk do te kemi te njëjtën panoramë si 5 vjet më parë, kur Alfred Moisiu i dorëzoi Kushtetutën pasardhësit Topi dhe mbajti fjalën e tij të fundit si kryetar shtetit. Këtë here në ceremoninë e organizuar në presidencë Bujar Nishanit Kushtetutën do tia dorëzojë kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Ndërkohë pas zhurmës në media, mësohet se është vendosur që të ketë të shtëna topi për presidentin e ri. Do jenë 21 të shtëna të tilla me një interval 30 sekonda nga njëra- tjetra, raporton Panorama.
Ceremonia do nisë në orën 18:300 me betimin e Nishanit në Kuvend. Më pas ai do drejtohet në presidencë ku do jenë rreth 600 të ftuar. Fillimisht Nishani do takojë zotin Topi dhe më pas do të dalë përpara të ftuarve për të mbajtur një fjalim. Bamir Topin do e përcjellë tek makina shefi i protokollit dhe ai do largohet duke përshëndetur me dorë nga makina të ftuarit e tribunës A, ku janë ulur diplomatët.
Më pas presidenti i ri do realizojë fotot dhe ceremonia do mbyllet rreth orës 20:00.