E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke, plumba 3 shqiptarëve

Policia greke qëllon ndaj tre emigrantëve shqiptarë, të cilët kishin kaluar kufirin në mënyrë ilegale, drejt veriut të Greqisë. Ata janë qëlluar me armë nga policia kufitare, afër fshatit grek Htisma. Sipas policisë greke, shqiptarët ishin trafikantë droge.

Sipas burimeve policore nga Janina, ngjarja ka ndodhur para dy ditësh, në zonën kufitare midis Shqipërisë e Greqisë, pak kilometra larg fshatit greke, Htisma. Mësohet se kanë qenë tre shtetas shqiptarë, të cilët, sipas versionit të policisë greke, ishin drejtuar drejt kufirit shqiptar. Patrulla e policisë, duke menduar se ka përpara saj trafikantë droge, i ka rrethuar dhe urdhëruar për kontroll.

Versioni i policisë

Por, ndërkohë, gjithnjë sipas policisë greke, një prej shtetasve shqiptarë ka tentuar të qëllojë me automatik kallashnikov. "Policët grekë e kanë çarmatosur atë", thuhet në njoftimin zyrtar, sipas të cilit, të pyetur nga policët grekë, tre shqiptarët kanë pranuar t‘i dërgojnë ata drejt vendit ku kishin fshehur drogën. Por një prej tyre është përpjekur t‘i rrëmbejë armën policit dhe, pas një përleshjeje, polici grek ka qëlluar mbi shtetasin shqiptar, duke e plagosur rëndë në shpatull.

I plagosuri, i identifikuar më pas si Alo Qemal Zhupa, 27 vjeç, nga Delvina, është dërguar në spitalin e Janinës dhe, për fat të mirë, pavarësisht nga gjendja e rëndë shëndetësore, është jashtë rrezikut për jetën. Ai është nën mbikëqyrje të vazhdueshme policore.

Fillojnë hetimet

Autoritetet më të larta të policisë greke kanë urdhëruar fillimin e hetimeve për ngjarjen. Në fillim, polici grek, që qëlloi mbi emigrantin shqiptar, u arrestua. Si provë materiale u konfiskua arma e tij, në krehrin e së cilës është gjetur vetëm një fishek. Ky fakt vërteton se polici grek ka qëlluar disa herë ndaj shqiptarit. Nga hetimet e deritanishme mësohet se asnjë gjurmë gishtash nga klandestinët nuk është konstatuar në armën e policit grek. Për më tepër, plumbi, që ka goditur njërin prej klandestinëve në shpatull, dëshmon faktin e kundërt se policia greke ka qëlluar mbi shqiptarët, pra nuk ka pasur përleshje apo drogë të fshehur, e cila ende nuk është gjetur.

Reagimet pas lirimit

Dy shtetasit e tjerë shqiptarë, identiteti i të cilëve nuk dihet, mbahen të izoluar nga policia greke. Ajo që shkaktoi reagime të ashpra ishte fakti se gjykata e la të lirë policin grek, pasi kërkoi kohë për të mbledhur provat e nevojshme ndaj shqiptarëve, të cilët i akuzon për trafik të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Vetëm nëse këto akuza hidhen poshtë nga gjykata, tre shtetasit shqiptarë do të lirohen.

Burime të prokurorisë së Janinës thanë dje, për "Top Channel", se në këtë ngjarje ka shumë pika të errëta, ndaj janë urdhëruar dy prokurorë për zbardhjen e plotë të plagosjes së emigrantit shqiptar, i cili po dje është vizituar nga konsulli shqiptar në Janinë, Esheref Shehu. Konsulli tha se do të kërkojë shpjegime nga autoritetet greke, lidhur me rrethanat e ngjarjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›