E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke rrafshon kampin e emigrantëve

Forcat speciale të policisë greke ndërmorën dje një operacion për shkatërrimin e një kampi emigrantësh të paligjshëm në qytetin port Patras. Kampi shfrytëzohej nga njerëz që prisnin të trafikoheshin përmes anijeve që nisen nga porti për të udhëtuar drejt Italisë apo shteteve të tjera të Europës Perëndimore. Masa shihet si një provë e mëtejshme e dorës së hekurt me të cilën vepron qeveria greke ndaj fenomenit të emigracionit të paligjshëm. Nga mediat vendase mësohet se kampi prej kohësh shihet me sy të keq nga shumë vendas, duke qenë se u lë shije jo të mirë jo vetëm atyre, por veçanërisht turistëve të shumtë që vizitojnë këtë vend.

"Për të terrorizuar emigrantët"

Rreth 100 policë të forcave speciale iu drejtuan kampit gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm të shoqëruar nga disa buldozerë. Shumë shpejt arritën të bëjnë njësh me tokën një numër të konsiderueshëm barakash. Mbeti më këmbë vetëm një xhami e improvizuar dhe një tendë që përdoret prej mjekëve vullnetarë që kujdesen për emigrantët.

Kampi në fjalë ekziston në Patras që prej të paktën 13 vitesh. Mësohet se deri pak muaj më parë aty strehoheshin së paku 1800 vetë, në pjesën dërrmuese nga Afganistani. Por numri kohët e fundit qe pakësuar në rreth 100 pas arrestimeve në shkallë të gjerë të policisë dhe pasi autoritetet e portit e kishin bërë thuajse të pamundur afrimin te mjetet e lundrimit që niseshin në drejtim të Italisë. Operacioni i orëve të para të mëngjesit u përshkrua nga zyrtarët e kryqit si i kryer me qëllimin për "të terrorizuar emigrantët". Një prej punonjësve të kësaj organizate tha se qëllimi i tij qe t‘u dërgonte të gjithë emigrantëve të paligjshëm mesazhin se në Greqi nuk ka të ardhme për ta.

Kërcënimi i emigracionit

Gjatë javëve të fundit, qeveria konservatore e Athinës ka vendosur të ndërmarrë masa shumë të ashpra ndaj të ashtuquajturve "klandestinë", veçanërisht pas suksesit të partisë Laos - forcë politike me tipare të forta nacionaliste e skajit të djathtë - gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Është miratuar me shpejtësi një ligj i cili i lehtëson së tepërmi procedurat e përzënies së emigrantëve të paligjshëm.

Kohët e fundit, Zhak Barrot, komisioneri për Drejtësinë në Bashkimin Europian pranoi se "rryma e pakontrolluar e emigracionit" po kthehej në një kërcënim serioz për ekuilibrin e demokracisë greke.

Ndërhyrja e ashpër e autoriteteve në këtë kamp emigrantësh do t‘i shtyjë një numër të konsiderueshëm prej tyre në duart e trafikantëve në Athinë e Itali, të cilët kërkojnë deri 8 mijë euro për t‘i nxjerrë jashtë kufijve të Greqisë. Disa emigrantë të tjerë kanë hequr dorë përfundimisht nga shpresa se do mund të kalojnë në ndonjë prej vendeve të Europës Perëndimore dhe u janë drejtuar kufijve tokësorë të Greqisë, duke u hedhur kështu në territoret e Bullgarisë dhe Maqedonisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›