E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, hetim të plotë ngjarjeve të vjetra



TIRANË - Policia e Shtetit dhe strukturat e saj në rrethe po i kushtojnë vëmendje zbulimit të vrasjeve të vjetra të pazbardhura deri tani. Për këtë qëllim, në të gjitha qarqet janë ngritur struktura me njerëz nga më profesionistët në këtë fushë. Puna është përqendruar në studimin e dosjeve të pezulluara dhe në grumbullimin e provave të reja për të bërë të mundur rifillimin e hetimeve, dokumentimin e ngjarjeve të pazbuluara dhe dërgimin e tyre në gjykatë. Në fokus të kësaj pune janë të gjitha ngjarjet e pazbardhura të mbartura në vite, pavarësisht se çfarë periudhe ato i përkasin. Në këtë kuadër, Drejtoria e Qarkut të Tiranës, një nga drejtoritë më të mëdha në vend, për shkak të numrit më të madh të banorëve dhe problematikës që ajo mbulon, gjatë muajit mars ka dokumentuar dy vrasje. Njëra i përket vitit 1992 në Tiranë, për të cilën u shpall në kërkim Elvin Osmanaj, autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Ndërsa për vrasjen tjetër, të ndodhur në muajin mars të këtij viti, në ish-Ambasadën Jugosllave, ku gjeti vdekjen 54-vjeçari Gëzim Shullani, policia ndaloi dy të dyshuarit e kësaj ngjarjeje, shtetasit Petrit Lazaj dhe Albana Zenelaj. Struktura e posaçme e Departamentit të Hetimit të Krimit dhe më konkretisht Seksioni kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, pranë Policisë së Tiranës, kanë mundur të dokumentojnë sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjeve, mekanizmin e kryerjes së tyre, motivit për çdo ngjarje respektive, të provave materiale në vendngjarje, si dhe mjeteve të kryerjes së krimit nga autorët. Lidhur me numrin e dosjeve të pazbuluara në vite, një punë e konsiderueshme është bërë edhe në disa qarqe të tjera të vendit, si Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Fier, ku ka patur ngjarje shumë të rënda që kanë ndodhur pas viteve ‘90. Vetëm këtë vit janë mbi 15 vrasje të vjetra të zbuluara, ndërsa në proces janë 70 të tjera.

Pranga dy personave, tentuan të kalonin drejt Greqisë katër shtetas

Përmet – Policia e Përmetit ka ndaluar në flagrancë, në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, dy shtetas shqiptarë. Ata dyshohen si trafikantë të qenieve njerëzore. Burime policore thanë se Janul Misha 42 vjeç dhe Andrea Naçi, 43 vjeç, të dy lindur në Përmet dhe banues të përkohshëm në Athinë (Greqi), në bashkëpunim me njëri-tjetri janë përpjekur të transportojnë drejt Greqisë katër shtetas, midis tyre dy fëmijë të mitur. Të dy të dyshuarit janë ndaluar në vendin e quajtur “Kthesa e Zhepës”, në aksin rrugor kombëtar Përmet-Tri Urat, duke transportuar me automjetet e tyre tre shtetas, midis tyre një fëmijë. Gjatë hetimeve paraprake të kryera nga specialistët e Luftës kundër Trafikimit të Paligjshëm (LKTP), rezultuan se dy personat po organizonin kalimin e paligjshëm të kufirit të tre shtetasve shqiptarë përkundrejt një vlere monetare prej 2200 eurosh për secilin. Gjatë aksionit të policisë lokale janë bllokuar si prova 2200 euro, 150 mijë lekë dhe një sasi dokumentesh zyrtare të shtetit grek, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan dhe dy autovetura tip “Mazda” dhe “Nisan”, e para me targa YYY 5527, në pronësi të shtetasit Andrea Naçi, ndërsa e dyta me targa YMN 9650, në pronësi të shtetasit Janul Misha. Materialet i kaluan Prokurorisë Gjyqësore të Gjirokastrës për hetime të mëtejshme.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›