Vidhnin dyqanet, ndalohen dy të miturit
ELBASAN - Tre persona, dy prej të cilëve të mitur, u ndaluan të enjten në mëngjes nën akuzën e vjedhjes, gjatë dy aksioneve të ndërmarra në intervale të ndryshme kohore nga policia e qarkut të Elbasanit. Burime të policisë lokale thanë për gazetën se 13-vjeçari M. L. dhe 16-vjeçari P. C., të dy lindur e banues në fshatin Labinot - Katund në Elbasan, u ndaluan në flagrancë teksa po tentonin të grabisnin me thyerje një lokal në fshatin e tyre”.
Mësohet se dy të miturit u morën në pyetje në prani të prindërve të tyre dhe psikologut dhe aktualisht ndodhen në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Elbasanit. Burimet thanë se materialet në ngarkim të tyre i kaluan seksionit të të miturve në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Durrësit. Pak pas arrestimit të dy të miturve, policia e Peqinit ka vënë në pranga 23-vjeçarin Daniel Sulkja, lindur dhe banues në fshatin Lolaj (Peqin), i cili kërkohej si autor i vjedhjes së banesës të shtetasit L. Tabaku, banues në fshatin Lazaren. Ngjarja për të cilën akuzohet 23-vjeçari ka ndodhur më 28 shkurt. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia sekuestroi disa sende me vlerë që i riu i kishte vjedhur në banesën e shtetasit L. Tabaku. Mësohet se Sulkja ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Në qeli tre persona, akuzohen për grabitjen e disa lokaleve
BULQIZË - Tre persona, të cilët akuzohen se kanë grabitur në grup 10 lokale në rrethin e Bulqizës, u arrestuan të enjten pas një operacioni të mirorganizuar nga policia e qarkut të Dibrës.
Burimet thanë për gazetën se në pranga kanë rënë shtetasit A. Markja 18 vjeç dhe vëllezërit B. e S. Adilaj, banues në fshatin Ostren të Rrethit të Bulqizës. Të njëjtat burime thanë se gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, policia sekuestroi mallra të ndryshme industrialë me vlerë prej 1,6 milionë lekësh.
Tre të arrestuarit hetoheshin prej një muaji nga policia, pas denoncimeve mbi grabitjen e lokaleve në këtë zonë. Policia bëri të ditur se hetimet lidhur me këtë rast vazhdojnë, pasi dyshohet se tre të arrestuarit kanë pasur bashkëpunëtorë në aktivitetin e tyre të paligjshëm.
28 Mars 2008