Sherr me thika mes grupeve, plagosen dy adoleshentë
Tirana është tronditur pasditen e djeshme nga një ngjarje e ndodhur në mes të qytetit. Një 19-vjeçar është sulmuar me thikë në bulevardin “Zogu I” nga disa bashkëmoshatarë. Sulmi ka qenë pjesë e një sherri të nisur në gjimnazin “Sami Frashëri”, ku më herët ka mbetur i plagosur edhe një 15-vjeçar. Denis Dollapi, i sulmuar në bulevardin “Zogu I” ka qenë pjesë e sherrit dhe është plagosur, pasi ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes. Një grup gjimnazistësh e kanë ndjekur duke e goditur me thika. Pasi e kanë qëlluar disa herë me thikë e kanë lënë të riun në mes të rrugës, ndërsa mësohet se ai më pas është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku gjendja e tij shëndetësore është tejet e rëndë. Policia e kryeqytetit ka mbërritur në vendngjarje, ku ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të saj dhe identifikimin e autorëve. Sipas policisë të dy të plagosurit ndodhen në spital. 15-vjeçari i plagosur quhet Durim Vitrina, ndërkohë që pritet të zbardhen edhe arsyet e sherrit me thika mes të rinjve.
#