E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia i vë kapak vdekjes në detyrë të zjarrfikësit

Fier Asnjë hetim nuk u krye për ngjarjen, as nga organet e drejtësisë, as nga inspektorati i punës

Humbja e jetës në krye të detyrës e zjarrfikësit Edmond Meçka do të mbetet thjesht si një aksident në raportin e statistikave të dosjeve pafund që ndodhen në Komisariatin e Policisë Fier. Për vdekjen e Edmond Meçkës, si pasojë e shkeljes së rregullave të sigurisë teknike, autoritetet policore të Fierit nuk kanë nisur hetim. Kjo konfirmohet zyrtarisht nga drejtues të komisariatit, si dhe nga efektivat blu që kanë qenë në shërbim gjatë ditës kur 46-vjeçari Edmond Meçka humbi jetën. Burimet policore shprehen se në dosjen e çelur për këtë ngjarje janë përshkruar vetëm rrethanat e saj dhe dëshmitë e kolegëve të të ndjerit. Gjithashtu është marrë për t’u pyetur edhe shtetasja Eleni Fejzullahu, e cila kërkoi ndihmën e zjarrfikëses, pasi i ishte bllokuar dera kryesore e apartamentit. Dosja e çelur nga policia nuk ka pasur asnjë të pandehur, por ka qenë thjesht përshkrim i humbjes së jetës së Edmond Meçkës. Nga ana tjetër, edhe vetë reparti i zjarrfikëses ku Meçka punonte, ka të drejtën ligjore për të hetuar shkaqet e ndërhyrjes së emergjencave civile, si dhe “ndodhive” të pazakonta që mund të shoqërojnë aksionet e repartit në fjalë. Madje, as Inspektorati i Punës që trajton rastet e aksidenteve në punë nuk ka marrë në hetim dhe nën shqyrtim rastin në fjalë. Shkaku real i humbjes së jetës së Edmond Meçkës tremb autoritetet për të nisur një hetim, pasi vetë drejtuesit lokalë dhe qendrorë të emergjencave civile dhe të zjarrfikësve u shprehën ditën e ceremonisë mortore të tij se aksidenti tragjik erdhi nga mungesa e shkallëve, si dhe e rripit të sigurisë. Zjarrfikësit e Fierit, pas vdekjes së kolegut të tyre që cilësohej si më me përvojë, shprehen se nuk do të ndërhyjnë asnjëherë tjetër për raste të tilla emergjencash në lartësi. “Nëse nuk do të ketë shkallë dhe litar sigurimi, nuk ka gjasa të ndërhyjmë”, thonë njëzëri zjarrfikësit e Fierit. Por, sekretari i përgjithshëm i prefekturës, ashtu si dhe ditën e ceremonisë mortore të Edmond Meçkës, edhe më pas ka renditur një sërë investimesh që priten të realizohen te reparti zjarrfikës Fier. Ndërkaq, në një mbledhje të jashtëzakonshme, këshilli i Komunës Mbrostar i ka akorduar familjes Meçka një shumë prej 50 mijë lekësh si dhe titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin “e sakrifikimit të jetës për shërbime të veçanta”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›