Sherri për mjetin, plagoset me kaçavidë një 28-vjeçar
Sherri i momentit për makinën ka çuar në plagosjen e një personi në Paskuqan të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin e dyshuar të plagosjes. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Tiranës bënë të ditur se forcat policore të Komisariatit nr. 5 kanë arrestuar Shkëlqim Bukaçin, i cili dyshohet për plagosjen e Artan Kaçit. Sipas të dhënave, 46-vjeçari ka qenë duke lëvizur me makinë, kur është përplasur me 28-vjeçarin Kaçi. Aty kanë filluar të debatojnë si të fortët e vendit, sherr që ka degjeneruar në fyerje e më pas në goditje. Sipas të dhënave policore, ngjarja është regjistruar rreth orës 13:30 në qendër të Paskuqanit. Në ato momente, mendohet se Bukaçi ka marrë një kaçavidë dhe ka plagosur rëndë Kaçin. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë, ndërkohë që i dëmtuari është dërguar në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Më vonë, autori është arrestuar dhe akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.
#