Plagosja e vëllait të deputetit, identifikohen dy të dyshuarit
Plagosja e vëllait të deputetit në një nga lokalet e Tiranës ka shpallur në kërkim dy persona, ndërkohë që truproja i plagosur është lënë i lirë, pasi nga hetimi ka rezultuar se nuk ka kryer ndonjë vepër penale. I arrestuar ka përfunduar vëllai i deputetit Armando Prenga, i identifikuar me emrin Agron Prenga, i njohur edhe si Gjon Prenga, i cili ka plagosur me armë truprojën Shpëtim Marku. Burimet policore bënë të ditur se në kërkim janë shpallur Urim Marku, vëllai i truprojës së plagosur dhe Besnik Smajli, të cilët akuzohen për plagosje të rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike. Sipas të dhënave policore, fillimisht nga specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, u arrestua në flagrancë shtetasi Gjon (Agron) Ndue Prenga, 48 vjeç, banues në Laç. Arrestimi i tij u bë sepse në orët e para të mëngjesit të së dielës, në ambientet e lokal “Alfa Buzuk”, dyshohet se në gjendje të dehur, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, duke e plagosur lehtë në trup shtetasin Shpëtim Isak Marku, 36 vjeç, banues në Shkozë Tiranë. Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë më pas edhe shtetasi Urim Isak Marku, 27 vjeç dhe Besnik Smajli, të cilët kanë goditur me sende të forta në kokë shtetasin Gjon Prenga, i cili u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë. Aktualisht nga strukturat e hetimit të krimit po punohet për kapjen e Urim Markut dhe Besnik Smajlit.
#