E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi ndaj bandave të Durrësit, sëmuret në seancë dëshmitarja

Avokatët pretendojnë se Valbona Jaho po “përpunohet”. Prokuroria: Gjithçka është ligjore

Debate të ashpra në procesin gjyqësor ndaj 17 të pandehurve të bandave të Durrësit, ku dëshmitarja e Drejtësisë, Valbona Jaho, duhej të dëshmonte, por në momentin e fundit sëmuret dhe bëhet shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore. Ish-mis Skrapari, Jaho, e cila ka fituar statusin e dëshmitares së Drejtësisë pasi ka rrëfyer para organit të akuzës dhe ka firmosur dëshminë që fundos disa nga të pandehurit, është paraqitur dje në orën 09:00 në Gjykatën e Krimeve të Rënda e shoqëruar nga personeli i Zyrës së Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Ka hyrë në sallën e gjyqit dhe pasi është pyetur nga trupi gjykues ka deklaruar se nuk është në gjendje të mirë fizike për të dhënë shpjegime, duke ndërprerë seancën për herë të dytë brenda disa ditëve.

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i avokatëve, të cilët thanë se ndërprerja e dëshmisë bëhet nga organi i akuzës me qëllim “përpunimin”, pasi seancën e kaluar, ajo hodhi poshtë një pjesë të rrëfimit prej të cilit fitoi edhe statusin. Megjithatë, deklaratat e avokatëve hidhen poshtë nga organi i prokurorisë, i cili deklaron se gjithçka është realizuar konform ligjeve.

Refuzimi i dëshmisë së Valbona Jahos e ka detyruar prokurorinë të thërrasë në seancë dëshmitarë të tjerë, por në këtë moment kanë reaguar fort avokatët, duke deklaruar se gjyqi është i paracaktuar. Në shenjë rebelimi dhe pas replikave me prokurorinë dhe gjykatën, disa prej tyre janë larguar pa marrë më parë leje nga Kolegji Penal. Ky i fundit, duke parë braktisjen në masë të avokatëve, u ka caktuar të pandehurve avokatë kryesisht, ndërsa shtyu seancën për një datë të mëvonshme.
Një seancë më parë, dëshmitarja e Drejtësisë, Valbona Jaho, ka treguar mënyrën sesi ka nxjerrë në pritë shtetasin Marsel Sotiri, e ndihmuar nga i dashuri i saj, Klodian Saliu. Duke e joshur në disa lokale në Durrës, Jaho e kishte nxjerrë në pritë Sotirin, i cili u ekzekutua nga banda për konflikte të mëparshme. Avokatët e të pandehurve deklarojnë se dëshmia e Valbona Jahos ka ndryshuar dhe si rrjedhojë ajo rrezikon edhe burgun, ndërsa të kundërtën deklarojnë burimet nga akuza, duke pohuar se gjithçka është konform marrëveshjes. Mbrojtësit ligjorë të të pandehurve pretendojnë se dëshmitarja e Drejtësisë, krahas Klodian Saliut, nuk ka implikuar asnjë person në vrasjen e Marsel Sotirit, ndërsa prokuroria thotë se bashkëpunëtorë në këtë vrasje janë edhe disa persona që gjenden në kafazin e hekurt të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›