E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia italiane: Shqiptarët trukuanBundesligën

TIRANE-Një përgjim i publikuar dje në të përditshmen më të madhe gjermane, "Bild", hedh hije të forta dyshimi mbi trukimin e ndeshjeve nga ana e shqiptarëve në Bundesligën gjermane. Bëhet fjalë për një përgjim të Policisë Italiane ndaj bosit të mafias Françesko Avalone dhe lojtarit Kristian Biankone, i arrestuar për trukime ndeshjesh në një operacion anti-Kamorra të disa kohëve më parë. Në këtë raport të policisë shfaqet një dyshim i pastër se ndeshja mes Bokum dhe Energji Kotbus e 28 shkurtit 2009 është trukuar dhe në lojë janë shqiptarët. Futbollisti Biankone thotë se e dinte me siguri për manipulimin e ndeshjes, e cila u luajt live. Ndërkohë, në momentin që bosi i mafias i thotë i habitur se një trukim i tillë mund të ketë ndodhur vetëm në Gjermani, pasi në Itali mund të luhen live vetëm takimet e kampionatit italian. Por, përgjigja e Biankones është se kjo është një punë e shqiptarëve. Pas kësaj, "Bild" ngre pikëpyetjen, duke thënë se mos kjo është një gjurmë e re, që ndeshjet e Bundesligës trukohen nga Shqipëria? Në fakt, në Evropë janë disa rrjete mafioze që veprojnë në bastet sportive, teksa vetëm në Gjermani, shumë persona, sidomos kroatë, janë para gjyqit për këtë akuzë.
Përgjimi
Përgjimi i publikuar dje është marrë nga Policia Italiane pas ndeshjes Bokum-Kotbus të 28 shkurtit 2009. Autoritetet italiane në fakt kanë qenë duke hetuar mbi mafian dhe nën përgjim ka qenë një prej bosëve të saj, Françesko Avalone. Ndeshja e Bundesligës së parë është fituar 3-2 nga vendasit dhe futbollisti Kristian Biankone, që ka luajtur me ekipe si Askoli, Piza, Sorrento e Foxhia, thotë se ajo është e trukuar nga shqiptarët dhe se ai e dinte përpara kohe këtë. Biankone i thotë gjithashtu bosit të mafias se gjithçka është luajtur live, pasi përpara takimit nuk ishte vendosur asnjë shumë. "Një mjeshtëri e vërtetë, - thotë ai në raportin e publikuar nga e përditshmja "Bild". - E dija gjysmë ore përpara. 20 minuta para se të niste ndeshja nuk u vu asnjë euro, por gjatë lojës u vunë 1 milion e 280 mijë euro", thotë Biankone. Ai e mbyll me pohimin se kjo ka qenë punë e shqiptarëve, por pa dhënë detaje të tjera.
Mavraj e Skela
Përsa i përket ndeshjes mes Bokum dhe Kotbus, në fushë në atë takim kanë qenë edhe dy futbollistët shqiptarë Mërgim Mavraj dhe Ervin Skela. Ata kanë zhvilluar të dy një lojë shumë të mirë dhe në fund kanë marrë notën 3, shumë e mirë për sistemin gjerman të notave. Sipas përgjimit, futbollisti Biankone thotë se Energji Kotbus kaloi në avantazh 1-2 dhe sërish u vunë shuma prej 30 deri në 40 mijë eurosh që fitonte Bokumi. Ndeshja është vendosur vetëm në fund, nga një penallti e dyshimtë e fituar nga Bokumi. Nëse ajo do të përfundonte 2-2, Energji Kotbus do të kishte më shumë shanse për të qëndruar në Bundesligë, por kjo nuk ndodhi. E megjithatë, përgjimi pritet të shkaktojë një tërmet të vërtetë në Gjermani. Prokuroria e Bokumit ka nisur prej një viti një mega-proces, në qendër të të cilit janë vëllezërit kroatë Sapina. Shumë të akuzuar kanë përfunduar në pranga, si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trukimit të ndeshjeve, 32 prej të cilave tashmë janë të vërtetuara nga kjo Prokurori.
Pergjimi
Më 2 mars 2009, bosi i mafias italiane Françesko Avalonre flet me lojtarin e arrestuar për trukim të ndeshjes Juve Stabia-Sorrento, Kristian Biankone. Ja biseda:
Biankone: Dëgjo, ata kanë bërë një numër në Bundesligë, nuk është për të qeshur.
Avalone: Kur, dje?
Biankone: Të shtunën. Një mjeshtëri e vërtetë!
Avalone: Bundesliga?
Biankone: Po, dhe unë e kam ditur gjysmë ore përpara!
Avalone: Cila ndeshje?!
Biankone: Bokum-Kotbus...
Avalone: Ajo 3-2?
Biankone: Ata e dinin se ndeshja do përfundonte "1". Por, 20 minuta para saj nuk u vu asnjë euro. 20 minutat e para, sapo filloi ndeshja, i kanë vënë 1.280.000 euro. Përgjatë asaj pjese live, Kotbusi kaloi në epërsi (2-1, minuta e 50-të) dhe ata sërish i vunë 30.000, 40.000 euro!
Avalone: Këtë e kanë bërë në Gjermani, sepse këtu (në Itali) mund të vësh vetëm ndeshjet e Italisë live...?
Biankone: Kjo është punë e shqiptarëve!

Komenti i BILD: Një gjurmë e re, që nga Shqipëria të dërgon në Bundesligë?

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›