QPZ, vlera e projektit, rreth 400 mijë euro
Qendra e Publikimeve Zyrtare u financua nga Komisioni Evropian dhe vlera e saj është rreth 400.000 euro. Qendra është rindërtuar e pajisur plotësisht në përputhje me standardet evropiane, duke lehtësuar kështu mundësinë e publikut për të parë botimet ligjore, për punë hulumtuese, si edhe duke përmirësuar transparencën dhe dijeninë e përgjithshme ligjore në Shqipëri. Para zbatimit të këtij projekti, infrastruktura dhe kushtet e operimit të Qendrës së Publikimeve Zyrtare ishin të pamjaftueshme dhe të vjetërsuara. Hapësira për një funksionim profesional të qendrës ishte e kufizuar dhe ajri ndotej vazhdimisht nga kimikatet e përdorura për pajisjet e shtypit. Qendrës i duheshin gjithashtu pajisje moderne për të përmirësuar kapacitetin e saj të pamjaftueshëm për të menaxhuar kërkesën në rritje për botime, si fletorja zyrtare, përmbledhje ligjesh dhe të gjitha llojet e legjislacionit. Qendra e Publikimeve Zyrtare, tashmë e rindërtuar, do t’u shërbejë nevojave për botim dhe shpërndarje të të gjitha akteve ligjore të institucioneve shqiptare. Qendra është si një zyrë publike informacioni e specializuar në akte ligjore.