E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enkelejd Alibeaj, reformat në drejtësi, të suksesshme për vendin



Ministri i Drejtësisë shtoi se qeveria angazhohet për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, që Shqipëria të arrijë standardet bashkëkohore, si dhe për të treguar që jemi partnerë të denjë për në NATO dhe së afërmi dhe në Bashkimin Evropian

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i ka quajtur reformat në drejtësi e legjislacion, të suksesshme për vendin dhe shtoi se bashkëpunimi me ndërkombëtarët do të vazhdojë për të arritur standardet e kërkuara. Deklarata e tij u bë gjatë inaugurimit të Qendrës së Publikimeve Zyrtare, ku ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Luixhi Brusa. “Ne angazhohemi për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, që Shqipëria të arrijë standardet bashkëkohore, si dhe për të treguar që jemi partnerë të denjë për në NATO dhe së afërmi dhe në Bashkimin Evropian. Për sa u përket reformave të ndërmarra në drejtësi dhe legjislacion, duhen cilësuar si të suksesshme”, - u shpreh ministri i Drejtësisë. Alibeaj gjatë ceremonisë u shpreh se "kjo qendër ka publikuar sot (dje) Fletoren Zyrtare, që përmban aktet ligjore të aderimit të Shqipërisë në NATO, shenjë e pastër jo e fatit, por e meritës dhe punës së bashkëpunimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë, Komisionit Evropian në Shqipëri, Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjithë interlokutorëve të tjerë". Përfaqësuesi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Luixhi Brusa, i pranishëm në këtë ceremoni, theksoi interesin e madh për reformën në drejtësi në Shqipëri. Asistenca jonë në këtë fushë është gjithëpërfshirëse, - tha ai, - duke përmendur kontributet e BE-së për përmirësimin e infrastrukturës së gjykatave, burgjeve, si dhe hartimin e ligjeve. Duke iu referuar punës së bërë për rinovimin dhe mobilimin e Qendrës së Publikimeve Zyrtare, ai tha se "kjo qendër është shembull se si lidhet infrastruktura fizike me programet e punës". Punimet për përmirësimin e infrastrukturës së Qendrës së Publikimeve Zyrtare filluan në maj dhe përfunduan në dhjetor të vitit të kaluar, falë projektit CARDS.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›