Ndalohet nxënësi, alarmoi shkollën për vendosje bombe
ELBASAN – Një nxënës i vitit të dytë të shkolis së mesme mekanike “Alim Myftiu” në qytetin e Elbasanit është ndaluar, pasi ka dhënë alarm të rremë për vendosje bombe në mjediset e shkollës së tij. Ndalimi u bë pas hetimit të telefonatës që mbërriti në orët e para të mëngjesit të djeshëm në njërën prej klasave të shkollës së mesme profesionale, gjë që ka ndërprerë për disa momente procesin mësimor. Pas sinjalit të dhënë, mbërriti në vendngjarje policia, e cila zhvendosi jashtë mjediseve shkollore brenda pak minutave të gjithë nxënësit dhe trupën pedagogjike. Sipas policisë, telefonuesi ka lajmëruar se bomba do të shpërthejë në orën 11:00 të paradites. Kontrollet e imtësishme në të gjitha klasat, nxorën të pavërtetë alarmin e dhënë. Ajo që ka vënë në lëvizje policinë, ka qenë fakti se telefonata nuk është kryer me numër anonim, por me një numër konkret. Kjo thjeshtoi menjëherë hetimet e policisë, e cila brenda disa orësh gjeti autorin e kësaj loje të rrezikshme. Ai është nxënës i vitit të dytë të kësaj shkolle. Ndalimi i tij u bë në prani të prindërve dhe për shkak të moshës së mitur, hetimet ndaj tij kanë nisur në gjendje të lirë. Dyshohet se nxënësi e ka inskenuar alarmin fals në mënyrë që të mos zhvillohej normalisht procesi mësimor.
Dokumentet false, ndalohen tre persona
DURRËS – Policia e Durrësit nisi hetimet ndaj tre personave pasi akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe akteve të gjendjes civile. Sipas burimeve zyrtare, u ndalua shtetasi Astrit Xhixha, lindur dhe banues në Maminas, pasi në praktikën e paraqitur në polici për të marrë pasaportë, kishte falsifikuar datëlindjen. Ndaj tij kanë nisur hetimet në gjendje të lirë. Me të njëjtën akuzë u ndalua edhe shtetasi Emilian Gjergji, lindur e banues në Manëz. Edhe 25 vjeçari Gjergji kishte falsifikuar emrin dhe në praktikën e marrjes së pasaportës doli në dritë edhe falsifikimi i bërë. Ndërsa shtetasi Alvaro Strefi, lindur e banues në Shijak, raportohet se ka falsifikuar vërtetimin e hyrjes së automjetit tip Renault Clio me targa AC 796 HP, pronë e tij. Burimet shprehen se dokumenti nuk është lëshuar nga dega e Doganës së Durrësit, por është bërë falsifikimi i tij në tregun e zi. Materialet proceduriale në ngarkim të tre shtetasve iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së rrethit Durrës.
Arrestohet, iu rikthye sërish trafikut klandestin
SARANDË – “Ujku qimen e ndërron por zakonin se harron”, - kështu ka ndodhur me një trafikant klandestinësh nga Fushë Mamurrasi, i cili është ndaluar një herë për këtë vepër penale dhe ka rënë sërish në prangat e policisë me të njëjtën akuzë. Burimet zyrtare të policisë së Sarandës bëjnë të ditur se " të martën në mbrëmje, 41 vjeçari, Rexhep Zani, u ndalua me urdhër të Prokurorisë së rrethit të Sarandës, ndërkohë që ai ishte ndaluar më parë për të njëjtën vepër penale". Sipas policisë, 41 vjeçari Zani është një nga 12 personat e ndaluar në korrik të vitit të kaluar, së bashku me gjashtë policë të komisariatit të Sarandës, të akuzuar për dhënie ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit. Në korrik të vitit të kaluar, Rexhep Zani, u ndalua në kuadër të operacionit të koduar "Butrinti", por për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, ai gjykohej në gjendje të lirë.
1 Maj 2008