E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kap hajdutin që vodhi tre makina në një ditë

Hajduti me rendiment
të lartë në vjedhjen e
"Benza"-ve vihet në
pranga. Arriti të vjedhë tre automjete
brenda një dite, po denoncimi
në kohë i njërit prej të
dëmtuarve ka çuar në prangosjen
e tij. 22-vjeçari, nga Shkozeti, u
arrestua ndërsa ishte në timonin
e automjetit të tretë të vjedhur
brenda së enjtes në Durrës, ndërsa
nga kontrollet në zonën e tij të
banimit përfunduan në pranga
dhe xhaxhai i tij së bashku me
një shok të të arrestuarit, Armand
Qazimi. Rreth orës 19:30 të ditës
së enjte, Ferhat Çullhaj denoncon
në Sallën Operative të Drejtorisë
së Policisë së Qarkut Durrës se i
kanë vjedhur automjetin e tij të
tipit "Mercedes Benz", me targe
Dr 6516B, ndërsa e kishte lënë
të parkuar në afërsi të Bankës
Tirana, pranë Pallatit të Sportit
"Ramazan Njala". Pas këtij njoftimi,
shërbimet e rendit të policisë
organizuan patrullime dhe pika
kontrolli në zona të ndryshme,
duke bllokuar daljet e mundshme
nga qyteti. Si rezultat i veprimeve
të shpejta në afërsi të lagjes 18, u
realizua gjetja e mjetit të vjedhur
dhe kapja e 22-vjeçarit, i cili ishte
duke e drejtuar atë. Gjatë hetimeve
rezultoi se ky shtetas është
autori i dy vjedhjeve të tjera të
automjeteve. Ai kishte vjedhur
në mesnatë 01:00 të se enjtes
mjetin në pronësi të Ilirjan Karatit,
në lagjen nr. 18, ndërsa rreth
orës 02:00, në lagjen ka vjedhur
automjetin që i përket Arben
Hoxhës. Këto vjedhje, Qazimi i ka
kryer në bashkëpunim me persona
të tjerë që banojnë në Kamzë.
Ndërkaq, gjatë kontrolleve të
shërbimeve të policisë në lagjen
14, Shkozet në afërsi të banesës
së Armand Qazimit, u vunë re
lëvizje të dyshimta të një të riu.
Në momentin që punonjësit e
policisë afrohen pranë banesës,
në të cilën ai u fut e konstatuan të
riun Ardit Arifi, 19 vjeç, duke dalë
menjëherë nga aty me një automatik
model 56. Pasi kishte parë
forcat e policisë, 19-vjeçari ishte
futur në shtëpinë e Sulejman Qazimit,
xhaxhai i Armandit, për ta
lajmëruar se polica po ushtronte
kontroll. Nën këtë presion, ai i jep
armën për ta fshehur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›