E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëflijohen tre persona, midis tyre edhe një fëmijë

Policia e Tiranës ka shënuar
katër të vdekur gjatë
48 orëve të fundit, ku tre
prej tyre i kanë dhënë
fund jetës për shkak të problemeve
familjare, ndërsa i katërti
ka vdekur për shkak të një ataku
kardiak. Burimet policore thanë
se rasti më i rëndë bën fjalë për
një 11-vjeçar, i cili është vetëvarur
dje në banesën e tij në Petrelë të
Tiranës, ndërkohë që tri rastet
e tjera janë shënuar gjatë së
enjtes.
Dje në mesditë, policia e kryeqytetit
është njoftuar se një fëmijë
i kishte dhënë fund jetës, duke u
vetëvarur në ambientet e shtëpisë.
Sipas të dhënave hetimore,
njoftimi për këtë rast të rëndë
është dhënë rreth orës 13:35, kur
Altin Vata, 11 vjeç, ishte gjetur pa
jetë me litar në qafë nga të afërmit
e tij në ambientet e banesës
private. Menjëherë, forcat e komisariatit
nr. 1 shkuan në vendin e
ngjarjes dhe nisën hetimet. Sipas
të dhënave të para hetimore,
ngjarja ndodhi në fshatin Stërmas
të Petrelës, ku familja e tij jetonte
prej vitesh, por në gjendje tejet të
keqe ekonomike. Policia ka marrë
në pyetje familjarët e të miturit, të
cilët nuk kanë ditur të shpjegojnë,
pse ai kishte ndërmarrë një akt të
tillë fatal. Ndërkohë, nga ekspertiza
e kryer dhe nga këqyrja e vendit
të ngjarjes rezultoi se i mituri nuk
kishte shenja dhune, por, sipas
policisë, për ndërmarrjen e këtij
akti ka ndikuar depresioni prej
kushteve të këqija ekonomike.
Ndërsa dy ditë më parë, policia
ka regjistruar vetëvrasjen e një
tjetër personi, me banim te Fusha
e Aviacionit, i cili i ka dhënë fund
jetës duke u vetëhelmuar. Gjendja
e keqe ekonomike dhe mungesa e
mundësisë për të shlyer borxhet
e marra, e ka detyruar Adem
Hazmedarin t‘i japë fund jetës.
Burimet policore të kryeqytetit
bënë të ditur se komisariati nr.
2 është njoftuar nga spitali se
45-vjeçari Hazmedari kishte
mbërritur në gjendje të rëndë
shëndetësore. Ai ishte dërguar
aty nga të afërmit rreth orës 19:35,
me simptoma të rënda helmimi.
Pavarësisht ndihmës së dhënë,
ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Kjo ka detyruar policinë të nisë
hetimet, pas të cilave ka rezultuar
se ai ishte vetëhelmuar me fostoksinë.
Sipas të dhënave nga policia,
këtë akt e kishte ndërmarrë për
shkak të disa borxheve të marra
prej kohësh, të cilat nuk mundte
t‘i shlyente.
Rasti tjetër i vetëvrasjes është
shënuar në Kamzë. Nga burimet
policore mësohet se rreth orës
11:30 të së enjtes, në Kamzë,
në kushtet e depresionit, është
vetëhelmuar me fostoksinë Artila
Kodheli, 19 vjeçe. Familjarët, të
cilët kanë mbërritur në banesë,
kanë gjetur adoleshenten
duke dhënë shpirt dhe me gjithë
ndihmën e parë, ajo ka ndërruar
jetë në duart e tyre. Të afërmit
janë munduar ta dërgonin në
spital, por bluzat e bardha bënë
të ditur se ajo kishte mbërritur
aty pa shpresë për mbijetesë. Më
pas, mjekët njoftuan policinë,
e cila nisi hetimet për shkaqet
që e çuan Kodhelin të merrte
vendimin fatal. Sipas të dhënave
të mbledhura, policia ka zbuluar
se vajza e re e kishte kryer këtë
akt në ambientet e banesës në
kushte depresioni. Burimet shpjegojnë
se ajo kishte pasur një
konflikt dhe për këtë arsye i dha
fund jetës.
Gjatë këtyre 48 orëve është
shënuar një tjetër viktimë, ku
një 86-vjeçar ka ndërruar jetë për
shkak të një ataku kardiak. Sipas
të dhënave zyrtare nga policia
e kryeqytetit, ai ishte dërguar
urgjent në Spitalin Ushtarak, ku
edhe ka ndërruar jetë. Për Pasho
Mehmetaj është dyshuar fillimisht
se ka vdekur nga faktorë
të tjerë, por pas kryerjes së ekzaminimeve
të nevojshme dhe
pas hetimit të kryer nga oficerët
e policisë gjyqësore, rezultoi se
vdekja e tij ka ardhur për shkak
të atakut kardiak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›