E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terror me armë, grabitet "Raiffeisen Bank"

Nën terrorin e armëve,
një adoleshent ka
mundur të grabisë me
maska një filial banke
të rëndësishme në Tiranë. Me
maskë në kokë dhe pistoletë në
dorë, ai ka hyrë në ambientet e
bankës, ka qëlluar dy herë në ajër,
e duke bërtitur ka marrë 800 mijë
lekë nga arkëtarja, të cilës i ishte
drejtuar arma në fytyrë. E terrorizuar,
ajo ka mbushur çantën me
para dhe ia ka dhënë grabitësit,
për të cilin mendohet se është
vetëm 17 ose 18 vjeç.
Burimet e policisë kryeqytetase
thanë se dje, rreth orës 13:40,
shërbimet policore të Komisariatit
nr. 4, morën njoftim se në
kryqëzimin e rrugës "Bardhyl"
me rrugën "4 Dëshmorët", është
vjedhur një nga filialet e "Raiffeisen
Bank". Menjëherë në vendin
e ngjarjes shkuan specialistët e
seksionit Kundër Vjedhjeve me
Dhunë/Armë, për të bërë të mundur
identifikimin dhe lokalizimin
e autorëve, si dhe zbardhjen e
rrethanave të kësaj ngjarjeje. Nga
të dhënat e para hetimore rezulton
se autori në momentin që ka
hyrë në ambientet e bankës, ka
kërcënuar nëpërmjet pistoletës
punonjësen e arkës, për të marrë
shumën e parave që ndodheshin
aktualisht në arkë, shumë e cila
dyshohet të jetë rreth 800 mijë
lekë. Duke ndjekur instruksionet
e marra nga autoritetet e bankës,
punonjësja, e cila ndodhej edhe
nën të shtënat e pistoletës së
grabitësit, ka mbledhur gjithë
paratë dhe ia ka dhënë atij. Nga
ana tjetër, kolegët e arkëtares,
kanë shtypur butonin e sigurisë
për njoftimin e policisë. Burimet
zyrtare nga zyra e shtypit të
"Raiffeisen Bank" bënë të ditur
se forcat e policisë kanë arritur
në degën e rrugës "Bardhyl" rreth
5 minuta, pasi stafi ka shtypur
butonin e alarmit, por fatkeqësisht
vjedhësi ishte zhdukur. "Fatmirësisht
asnjë nga klientët apo
stafi i degës së bankës nuk është
plagosur apo dëmtuar. Menjëherë
pas kësaj ngjarjeje, dega e
bankës është e mbyllur dhe forcat
e policisë kanë marrë gjendjen
nën kontroll. Prioriteti ynë i parë
është pa dyshim siguria e stafit
dhe ne jemi të kënaqur që ata
kanë vepruar sipas politikës sonë
të sigurimit", tha Rober Wright,
drejtor në "Raiffeisen Bank".
Pas grabitjes së bujshme, ku
të pranishmit janë tronditur, policia
ka rrethuar gjithë zonën dhe
ka nisur hetimet për zbardhjen e
saj. Sipas të dhënave hetimore,
autori i grabitjes me armë zjarri,
është një adoleshent me trup
të vogël dhe besohet të jetë i
ardhur në Tiranë. Zyrtarisht, policia
tha se kamerat që gjenden
në filialin e bankës, nuk kanë
arritur të identifikojnë autorin,
pasi ai ishte i maskuar. Kështu,
grupi hetimor ka sekuestruar
kasetat e sigurisë, për t‘i përdorur
për verifikim të personave
të dyshuar. Sipas dëshmitarëve
në vendngjarje dhe punonjësve
të filialit bankar, autori e kishte
mbuluar fytyrën e tij me një
bluzë golf, duke u përpjekur që
të mos identifikohej nga askush.
Skena e grabitjes ka qenë ajo klasike
që ndodh edhe në bankat e
vendeve të ndryshme evropiane,
sidomos në fqinjin tonë, Greqi.
Sipas të dhënave hetimore, autori
dyshohet se është larguar
në këmbë mes pallateve dhe më
pas është pritur nga persona të
tjerë, të cilët e kanë ndihmuar
të arratiset me makinë. Duke u
nisur nga këto dyshime, policia
ka ngritur një sërë postblloqesh,
duke kontrolluar mjetet
e dyshimta. Deri në orët e vona
të mbrëmjes, pavarësisht se
policia ka vazhduar me punën
për identifikimin e autorit, nuk
ka mundur të prangosë ndonjë
të dyshuar. Kohë më parë, një
tjetër grabitës vodhi një filial të
"Raiffeisen Bank" te Zogu i Zi, i
cili u arrestua pak kohë më vonë,
pas hetimeve të policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›